Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar pas deklaratës së Enkelejd Alibeajt se Partia Socialiste ka përdorur të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë. Balla deklaron se Partia Socialiste ka databazën e saj të të dhënave të krijuar me vite të tëra organizimi dhe komunikimi derë më derë me njerëzit.
Kjo sipas Ballës, kjo punë bëhet me kontakte direkte jo me makina e me flamunj, prandaj prisni me qetësi 25 prillin dhe mos kujtoni se sa më shumë makina e zhurmë rrugëve aq më shumë vota në kutinë ku vendoset e ardhmja!
“O shpifësa të dëshpëruar! Partia Socialiste ka databazën e saj të të dhënave të krijuar me vite të tëra organizimi dhe komunikimi derë më derë me njerëzit. Quhet punë në terren kjo dhe bëhet me kontakte direkte jo me makina e me flamunj, prandaj prisni me qetësi 25 prillin dhe mos kujtoni se sa më shumë makina e zhurmë rrugëve aq më shumë vota në kutinë ku vendoset e ardhmja”, shkruan Balla.
Më herët gjatë ditës së sotme ish deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj denoncoi Partinë Socialiste se ka përdorur të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë duke shkelur privatësinë e tyre gjë që është vepër penale. Alibeaj tha se në selinë e PS janë vendosur kompjuterë dhe serverë që përgjojnë dhe përdorin të dhënat personale të qytetarëve nga portali e-Albania për qëllime zgjedhore.