Presidentja, Dr. Vjosa Osmani, priti në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Philip Kosnett.
Me këtë rast, Ambasadori Kosnett e uroi dhe njëherë Presidenten Osmani për marrjen e detyrës, duke theksuar që ashtu siç Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të shkëlqyeshme me SHBA-të, e njëjta vlerë dhe për SHBA-të dhe angazhimin e tyre karshi vendit tonë.
Duke folur për prioritetet dhe çështjet të cilat do t’i shtyje përpara Presidentja Osmani gjatë mandatit të saj, ajo theksoi që në përputhje me kompetencat kushtetuese, politika e jashtme, siguria, e forcimi tutje i shtetësisë do të jenë pamëdyshje në fokus të parë. Gjersa, theksoi tutje që do të punojë në mënyrë aktive për përmirësimin e vazhdueshëm të imazhit të vendit. Duke marrë parasysh situatën me pandeminë dhe nevojen për mobilizim ndër institucional për menaxhim të suksesshëm të saj, Presidentja Osmani pohoi që do të angazhohet për të ndihmuar në drejtim të sigurimit të vaksinave për qytetarët tanë. Ndërlidhur me çështjen e pandemisë, të dyja palët theksuan nevojën për respektim të plotë të masave të prezantuara të qeverisë, si mënyra më e sigurt dhe e duhur për të shpëtuar jetë.
Në takim, Presidentja Osmani po ashtu e siguroi Ambasadorin Kosnett që do të angazhohet që të krijojë një platform të mirëfilltë të dialogut me gjithë spektrin politik, duke cekur që në këtë drejtim theks të veçantë do t’i jap konsultimeve me opozitën si dhe përfshirjen e tyre aktive në çështje të interesit të veçantë për vendin.