Ndërsa procesi i numërimit vijon, Zëdhënësja e Partisë Socialiste për fushatën, Bora Muzhaqi ka reaguar nëpërmjet një deklarate për mediat. Bazuar edhe te rezultati i deritanishëm i votave të numëruara, Muzhaqi thotë se fitoja e PS-së është tanimë shumë e qartë. Sipas saj, Shqipëria ka fituar një festë demokracie, ndërsa bën thirrje për vazhdimin e numërimit të votave pa humbur kohë.

“Qytetarët meritojnë ta mësojnë një orë e më parë rezultatin përfundimtar. Ata janë shprehur qartë dhe partitë kanë detyrën t’i shërbejnë për nxjerrjen e rezultatit, Shqipëria ka fituar një festë demokratike që nuk duhet prishur me asnjë zgjatje të panevojshme për askënd. Në emër të PS dhe kryetarit Edi Rama falënderoj vëzhguesit dhe i kërkoj të vazhdojnë punë e tyre. Durim dhe angazhim deri në fund, çdo votë të numërohet. Fitorja e PS është shumë e qartë tanimë, por fitorja e Shqipërisë duhet vulosur me angazhimin e përbashkët me PD për ta mbyllur numërimin pa humbur kohë”, tha ajo.