Nga ARTUR AJAZI

Jo vetëm që fitoi i vetëm mandatin e tretë qeverisëse (pa bishta mbrapa) të cilin nuk e ka arritur deri sot asnjë prej partive politike në Shqipëri prej 30 vitesh, por edhe sepse injektoi qysh në zanafillë të fushatës mentalitetin motivues “punë jo gjumë”. Ai njeri nuk di të tërhiqet, nuk di të flasë para kohe, nuk di të zhgënjejë, nuk di të trembet, por di të mendojë dhe vendosë atë të duhet bërë. Dhe e ka treguar kur ishte kryetar bashkie në Tiranë. E transformoi kryeqytetin nga qendër e banueshme me pamje kabuljane që e kishin katandisur paraardhësit e tij të Partisë Demokratike, në një qytet model, që sot krahasohet me dinjitet me ato europiane. Askush nuk flet me “tifozllëk” kur vjen fjala për Edi Ramën, të paktën realistët. Atë e mburr puna, programet, idetë, motivimi, novacioni, respekti për produktivitetin personal dhe kolektiv. Doli i vetëm para një dyzine me partiçka që nuk u dihen as anëtarët dhe as “bëmat”, veç skandaleve, si partia e Fatmir Mediut, Shpëtim Idrizit, apo Vangjel Dules.

Opozitës çalamane, ju bashkuan në këtë fushatë ndër më të rëndësishmet e tranzicionit politik, mbi 20 parti, dhe mbi 15 të tjera rrinin gati për të kapur ndonjë “kockë” pushteti nga Lulzim Basha. Ishte një tabllo qesharake, ishte një tragjikomedi, tek shihej Ilir Metën me taborrë, të ndërhynte dhe guxonte të prishte imazhin dhe qetësinë e fushatës, ashtu siç ishte e turpshme tek shihje dhe lexoje deklarimet e drejtuesve politikë të Partisë Demokratike, tek shprehnin bindjen e “fitores” (edhe kur kishte viktima) sepse kishin ngritur strukturat e armatosura për gjoja “mbrojtjen e votës”. Ja dole Edi Rama, ja dole të arrish fitoren e mrekullueshme, ja dole të mposhtësh malin e së keqes, që rrinte me veshët ngrehur për të shqyer “fitoren” dhe masakruar socialistët. “Po punove fort, ja del”. Ishte kjo kryevepra e fjalëve dhe kushtrimit të Edi Ramës, drejtuar jo vetëm socialistëve, por edhe demokratëve. Po ku ta dinin demokratët se Lulzimi ishte në gjumë, edhe kur lexonte letrat e Saliut të prezantuara si “programe partie”.

Ku ta dinin demokratët, se Lulzimi edhe kur takohej me të vetët, e kishte mëndjen tek vilat, bizneset, dhe “peshkimi i ndonjë oligarku”, për ta patur si objekt sulmi pas 25 Prillit. Ku ta dinin demokratët, se Lulzimi mjaftohej me “lugën e zbrazur” në fushata, dhe u tregonte përralla prilli të vetëve, gjithmonë kur i premtonte atyre “vende drejtorësh dhe ministrash, sapo të vinin në pushtet”. Lulzimi ishte në ajër, mendonte dhe jetonte si ajri. Dukej sikur nuk ndiqte Edi Ramën në fushatë, por mëndja i rrinte tek arritjet dhe sukseset e tij. Nuk hiqte nga mëndja aeroportin e Kukësit, rrugën e “Arbërit”, portin e ri të Durrësit, Shëngjinit, aeroportin që do të bëhet në Vlorë e Sarandë, rrugën dhe tunelin e Llogarasë, dhe plot e plot vepra të tjera. I dukej sikur po i bënte “dora magjike”, dhe pastaj kujtohej se po i bënte realitet Edi Rama. “Eshtë koha për punë dhe jo gjumë”. Kaq tha ai, për ti treguar Lulzimit se “me gjumë nuk arrin asgjëkundi, kurse me punë arrin majën”.

Tani është rradha e Lulzimit, Ilirit, Saliut dhe Monikës, ti thonë “dy fjalë” shqiptarëve, jo ta mburrin , por ti japin Edi Ramës, atë që i takon Edi Ramës. Eshtë rradha e tyre të shkojnë në shtëpi, dhe tu hapin udhë të rinjve.Ndryshimi duhet të vijë fillimisht nga Partia Demokratike. Këtë nuk arriti të kuptojë Luli, para se të binte në “rrjetën e Doktorit”.