Nga Eldon Gjikaj/ Zgjedhjet e 25 prillit, e çertifikojnë politikisht Edi Ramën, kryeshërbëtorin qeverisës të Shqipërisë, si cak historik, jo vetëm për Partinë Socialiste, jo vetëm për të majtën shqiptare, por për krejt historishkrimin politik të Shqipërisë pluraliste. Rama tashmë ka fituar në mënyrë të kristaltë mandatin e tretë qeverisës, me një shumicë vetmjaftuese për të formatuar qeverinë e ardhshme, për tu shkuar deri në fund megaprojekteve të shestuara prej tij. Një rast unik në historinë e pluralizmit shqiptar, por, duke u nisur nga analiza e kthjellët e bilancit politik të qeverisjes Rama 2, logjikisht, më se i pritshëm.

Për të mos bjerrur kohë e durim tek lexuesi, në sintezë, Rama vijon të paraqitet kundruall shqiptarëve si një lider i fortë, me vullnet të kalçifikuar për të përballuar sfida befasisht madhore si tërmeti dhe pandemia; Rama reflekton këmbënguljen e një lidership-i që jo vetëm merr përgjegjësi, por që kërkon përgjegjësi; Rama, pa praj, vazhdon të shpërfaq, qëndrueshëm, ambicien eksentriko-vizionare, për të jetësuar projekte infrastrukturore “përtej” normales në këtë zgrip të Ballkanit; Rama, në kancelaritë europiane e më gjerë, tashmë përfillet si një faktor rëndësie i dorës së parë, në rajon e më gjerë; Rama, megjithë problemet e qeverisjes, në vite, nuk e ka bjerrur asesi besimin e elektoratit, përkundrazi e ka kthyer në energji pune.
Ndërkohë alternativa opozitare e Partisë Demokratike me Bashën, që synonte rotacionin politik, për një varg arsyesh, u paraqit krejt anemike, jo vetëm në raport me rekordet e qeverisë Rama, por sidomos me staturën politike të vetë Ramës si lider.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve, qysh në krye të herës, pavarësisht rrokopujës mediatike gjithfarësh, të flakur nga panele ku panelojnë panelistë, ishte krejt i pritshëm. Një pjesë, jo e pakët, e panelistëve që artikulonin nervozuar, dëshpërisht ligështuar, krejt të kithët me realitetin, të ndërmendin anekdotën hebraike:

Moisiu u thirr në Parajsë. “Në tokë ke qenë një hebre i mirë,” tha i Përjetshmi, ”çfarë do dëshiroje të të dhuroja? Thuama, do ta marrësh menjëherë, veç ki parasysh se armiku yt më i keq do të marrë dyfishin e asaj që do të marrësh ti.”
Buzagaz, Moisiu iu përgjërua:

“Ma hiq një sy”.
Elektorati shqiptar tashmë e ka mandatuar qartë Partinë Socialiste dhe Ramën për një tjetër katër vjeçar qeverisës, duke mundësuar vazhdimësinë dhe jo këputjen traumatike, një përgjegjësi historike për Partinë Socialiste, në përmbushje të besimit të shqiptarëve.