Rekord aplikimesh online për t’u pajisur me pasaportë të re. Drejtoresha e AKSHI-t, Linda Karçanaj shpjegon me shifra sesi plotësimi elektronik i formularit të aplikimit është kthyer në një nga shërbimet më të përdorura për qytetarët, nga maji i vitit 2020, kur nisi implementimi në e-Albania.
“Në vetëm 11 muaj, rreth 189 mijë qytetarë kanë aplikuar në e-Albania për të plotësuar formularin elektronik, duke eliminuar përgjithmonë ecejaket dhe radhët e gjata të pritjes në sportelet e policisë”, shkruan Karçanaj.
Drejtoresha e AKSHI-t thotë se ky shërbim i dedikuar online ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, duke i kursyer kohë dhe vajtje-ardhje të panevojshme në komisariate.
“21.5 vite kohë pritje u kemi kursyer qytetarëve vetëm falë plotësimit online të formularit të aplikimit, që zgjat më pak se 2 minuta. e-Albania është sot platforma e çdo qytetari, që aplikimin për pasaportë mund ta bejë online, direkt nga kompjuteti apo smartfoni për t’u pajisur me dokumentin e ri”, përfundon Karçanaj.