Zgjedhjet e 25 prillit konfirmuan edhe një herë Partinë Socialiste subjektin politik më të madh në Shqipëri dhe fituese të zgjedhjeve, por në rang bashkish ka befasi dhe surpriza,përmbysje, rrije të rënie të dy partive kryesore në bastione, në raport me zgjedhjet e 2017. Në Bashkinë e Tropojës, një bastion historik i PD-së, LSI-ja ka marrë vetëm 12 vota ose 0.1 %, ndërsa në Has 16 vota, sërish larg 1 %. PD ka thelluar rezultatin në Bashkinë Tropojë, duke u rritur me 5.5 % në raport me zgjedhjet e 2017, ndërsa PS ka pësuar rënie me 1 %. 66 % të votave i ka marrë PD-ja, 31 % PS-ja. Petrit Malajt ishte figura kryesore e fushatës së PS-së në Tropojë dhe Isuf Çelaj për PS.
Nga ana tjetër, në Bashkinë Skrapar, një bastion i LSI-së ka përmbysje, PS-ja ka marrë 53.5% votave, duke u rritur me 16 % krahasuar me zgjedhjet e 2017, LSI është rrudhur duke rënë me 22 %, ndërsa PD edhe pse është rritur, ka nuk ka arritur dot 12 % të votave. Protagonistë të rritjes së PS në Skrapar dhe në gjithë Qarkun e Beratit mendohet se janë Blendi Klosi, Nasip Naço dhe Gledion Rehovica.
LEXO EDHE:
Vila në Gjirin e Lalzit, gjimnazi ‘Sami Frashëri’ dhe disfata e Tabakut në Tiranë
Në Bashkinë Fier, aty ku PS-ja ka mbështetjen më të madhe në Shqipëri, PS-ja nën drejtimin e Gramoz Ruçit dhe Armando Subashit ruan bastionin, por ka rënë me 1.3 %, ndërsa PD-ja në drejtimin e Enkelejd Alibeajt është rritur me 4.3 %. Befasues është rezultati në Divjakë, ku PS-ja nga 64 % në 2017 ka rënë në 51 %. PS tregon forcën e padiskutueshme në Bashkinë e Vlorës me 59.2 %, por çuditërisht ka një rënie me rreth 4 %, krahasuar me rezultatin e 2017, por nga ana tjetër është rritur me gati 7 në Delvinë.
Në Bashkinë Shkodër, PS nën drejtimin e Ilir Beqjaj ka pësuar rënie me rreth 7 %, duke marrë rreth 16 mijë vota. Partia Demokratike, fushata e të cilës është drejtuar nga Voltana Ademi dhe Helidon Bushati, është ka marrë mbi 45 % të votave, duke u rritur me 3 %. Ndërkaq, partia e Jozefina Topallit ka marrë vetëm 1163 vota ose 1.7 %, shumë larg mandatit. Tom Doshi ka marrë më shumë vota se sa LSI-ja në Shkodër, konkretisht 15 %, ndërsa LSI-ja 12 %.
Bashkia e Burrelit, ku fushata është drejtuar nga Agron Malaj, po kthehet gati në bastion i PS-së. Në këtë bashki PS-ja ka marrë mbi 50 % të votave, ndërsa LSI ka prekur fundin. Në Bashkinë e Korçës, e njohur edhe si zona e Niko Peleshit, Partia Socialiste ka marrë 4.2 % më pak vota se sa në zgjedhjet e 2017, ndërsa PD-ja është rritur me 9 %, duke i marrë vota PS-së dhe LSI-së. Në Bashkinë Kolonjë, ku fushata është drejtuar nga Olta Xhaçka, ka ndodhur e kundërta, pasi PS ka rritje me rreth 4 %.
Në Pogradec, PS ka rritje me 2 %. Nga ana tjetër edhe PD-ja ka rritje me 7.7 %, vota të cilat ia ka marrë LSI-së, e cila nga 18 % në 2017, ka rënë me 8.5 % në 2021.
Në Bashkinë e Elbasanit, ku protagonisti kryesor i fushatës ishte Taulant Balla, PS ka marrë 55 % të votave, duke u rritur me 11 % krahasuar me zgjedhjet e 2017, ndërsa PD dhe LSI kanë pësuar rënie me 13 %. Në Gramsh, PS-ja ka marrë mbi 60 % të votave, duke u rritur me mbi 10 %, ndërsa LSI-ja nga 24 % në 2017, ka rënë në 6 %. Edhe në Bashkinë e Librazhdit, PS ka marrë mbi 60 % të votave, por ka rënë me 2.7 % krahasuar me 2017.
PS-ja ka triumfuar sërish në Bashkinë e Tiranës me mbi 210 mijë vota, duke u rritur me gati 1 %. Nëse me 25 prill do të ishin zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, PS-ja do të fitonte bindshëm përballë PD-LSI-së.
Në Bashkinë Kamëz, një bastion i PD-së, Partia Socialiste është rritur me gati 3 % ose rreth 4 mijë vota, ku fushata është drejtuar nga Elisa Spiropali. PD-ja, nën drejtimin e Flramur Nokës, ka pësuar një rënie me rreth 1 %, por sërish PD-ja ka marrë rreth 50 % të votave, ndërsa PS-ja 37 % të votave. Në Kavajë, PS-ja është rritur me mbi 3 %, duke tejkaluar PD-në, ndërsa LSI-ja ka prekur fundin.
Befasues është rezultati në Rogozhinë, ku PD-ja, nën drejtimin e Grida Dumës, ka një rënie me mbi 10 % të votave, ndërsa PS-ja është rritur me 8 %.
Në Durrës, PS-ja ka ruajtur në rezultatin e 2017, ndërsa PD është rritur me 8 %, duke i marrë vota LSI-së. Por, në Bashkinë e Durrësit, PS-ja është rritur me 1.5 %, ku fushata është për PS është drejtuar nga Milva Konomi dhe Vangjush Dako, ndërsa për PD-në nga Edi Paloka. Në Shijak, i shndërruar në objekt i debateve të forta gjatë 2 viteve të kaluara, PS-ja ka një rënie me 2 %, ndërsa PD-ja është rritur me 8 %, duke i marrë vota LSI-së.
Shqiptarja.com