“Jam shumë i kënaqur me ndërtimin e shtëpisë së re, që u ndërtua për 4 muaj”. Kështu shprehet Ali Meçi, nga Shahinaj i Shijakut, shtëpia e të cilit u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, në një video të publikuar nga Kryeministri Edi Rama. “Pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit bëra një barake të vogël ku u strehova deri sa më erdhi çadra. Për 10 ditë u vendos çadra dhe u sistemuam aty. Jetonim 7 persona, vështirësi kishim, por s’kishim çfarë bënim”, thekson Meçi.
Ai shprehet se “në gusht filloi rindërtimi, isha pak pesimist se thoshin do ti bëjmë, do ti bëjmë, por kur erdhi fadroma këtu atëherë më shkriu gjaku”. Pas rindërtimit të shtëpisë i emocionuar Meçi tregon se “shtëpia u ndërtua për 4 muaj, ndërtesa është 3 +1 me sipërfaqe 105 m2. Jam shumë i kënaqur nuk bëhet ndërtimi i shtëpisë menjëherë, sikur blen diçka në dyqan dhe e sjell këtu. Duhet punë”.
“Mirë që shpëtuam gjallë sepse ajo do të ishte gjëja më e keqe, tani u harruan të gjitha”, – thotë Meçi. Kryeministri Rama tha dje gjatë inspektimit të punimeve në kantierin e rindërtimit në Thumanë se “do t’i vazhdojmë t’i mbarojmë shtëpitë. Kanë votuar apo jo është tjetër histori, rëndësi ka që të gjithë janë shqiptarë dhe të futen në shtëpi më të mira”.