Kryeministri Rama, ndryshe nga ç’e kemi parë kohët e fundit, për shkak të fushatës zgjedhore zbuloi dje marrëdhënien me prindërit e tij.

Teksa rrëfente në “E diell” lidhjen e ngushtë me gjyshen, tregoi se babai nuk donte të dilte me të kur ishte i vogël, se i kishte këmbët e shtrembra. Ndërsa për fotografitë bardhezi të familjes, thotë se realizoheshin nga Kristaqi që kishte një aparat fotografik. “Im atë e kishte problem të dilte me mua kur isha i vogël, se i kisha këmbët shumë të shtrembra. E kishte problem që çfarë është ky çun ynë, nga ngjau, por këmbët u drejtuan me kalimin e kohës. Unë kam lindur te rruga ‘Muhamet Gjollesha’.

Im atë kishte një aparat fotografik, që e kishte marrë që kur ishte student në Bashkimin Sovjetik dhe kishte një laborator të vogël në studion e vet dhe ai i bënte këto fotografi. Ishte kronikani i familjes sonë dhe kjo është një fotografi e bërë nga im atë. Hera-herës fotografonte jetën familjare”, tregoi Rama. Ndërsa për studimet në lice, tregon se babai e lejoi se ishte shumë këmbëngulës, por zbulon se në familje kishte fuqi autoritare Aneta më shumë se Kristaqi.

“Unë kam bërë namin për të shkuar në lice dhe në fund fare ai ra dakord se e pa që unë isha shumë këmbëngulës dhe doja të shkoja pikërisht aty. Ka qenë figurë e rëndësishme për mua, sepse ishte një hapësire lirie, ndërkohë që ime më ishte shumë më tepër autoritare. Fuqi autoritare në shtëpinë tonë ishte Aneta, jo Kristaqi”, rrëfen Rama.

Gjyshja

Kryeministri Rama ka pasur marrëdhënie tepër të ngushtë me gjyshen e tij, e cila ishte tepër e dhënë pas fesë dhe gjatë natës dëgjonte shpesh pëshpërimën e lutjeve të saj. Ai tregon se kur filloi të lexonte libra me qëndrime kundër fesë, shkoi te gjyshja duke i folur edhe asaj kundër, gjë që e tronditi shumë dhe e bëri gjyshen të qante. Më pas i tha se të besonte për një moment që Zoti nuk ekziston dhe kjo bëri Ramën që të merrte një goditje elektrike, ndaj e cilëson gjyshen si personin që ia bënte gjërat më të lehta.

“Çdo natë kur flija, dëgjoja pëshpërimën e lutjeve të saj dhe njëherë isha rreth moshës 10 vjeç dhe isha një revolucionar në kuptimin shumë i dhënë pas librave, por të gjithë ata të frymëzonin idenë e revolucionit dhe kisha libra që tek tuk gjeje qëndrime që ishin shumë kundër fesë. Në një prej tyre lexoj për një personazh që përqeshte ikonat si dërrasa të lyera me bojë që merrnin mendjen e njerëzve.

Gjyshja kishte një ikonë që e mbante poshtë rrobave dhe e mbante kur ishin festat fetare ose kur ishte përvjetori i vdekjes së djalit të xhaxhait dhe ndizte një qiri. Një ditë të bukur lexoj këtë pasazh, frymëzohem, marr ikonën nga poshtë rrobave, i shkoj gjyshes në kuzhinë dhe i flas kundër fesë dhe i them është dërrasë e lyer me bojë, pse e nxjerr këtë? Një fëmijë agresiv dhe në një moment gjyshja tronditet shumë. Ai ka qenë moment që në mendjen time ka ndezur një llambushkë, pastaj është zhvilluar me lexime të ndaluara, me nevojën për të jetuar me një nevojë alternative brenda botës së mbyllur dhe që kishte shumë lidhje me fenë.

Ajo fillon e qan dhe me sytë me lot thotë ‘dakord, Zoti nuk ekziston, por çfarë të kushton që të pyesësh veten, po sikur të ekzistojë?’. Ai çast më dha goditje elektrike. Pastaj u shtjellua në vite. Gjyshja ka qenë personazhi më prezent në kuptimin që ishte jastëku ku vija kokën kur ime më ishte shumë kërkuese. Ishte kisha ku unë falesha, ishte kabina e rrëfimit, ajo që m’i bënte më të lehta gjërat kur më kapnin ndonjë gabim”, tha Rama.

Trump-Macron

Kryeministri Edi Rama ka rrëfyer bisedën me ishPresidentin e Amerikës, Donald Trump dhe batutën që i tha për arkitektin që bëri “Trump Tower” në Chicago. “Kur ishim në Bruksel në takimin që u bë Samiti i NATO-s dhe u inaugurua headquarter-i i ri i NATO-s dhe po shihnim të gjithë, i them: ‘Zoti President, e di kush e ka bërë këtë?’. ‘Jo’, tha. ‘E ka bërë i njëjti arkitekt që ka bërë ‘Trump Tower’ në Chicago’. ‘Po bën shaka’, tha. ‘Jo’, i thashë. Më thotë mua: ‘E shikon çfarë bëjnë këta? Në vend që të blejnë avionët e mi, vjedhin arkitektët e mi’”, tha Rama për Trump.

Në “E diell” Rama foli edhe për Presidentin francez, Emanuel Macron, për të cilin tha se do të jenë miq pasi kanë një marrëdhënie tepër të ngushtë. “Është nga të paktët që do të kem marrëdhënie dhe kur unë të mos të jem Kryeministër e ai President. Kemi një marrëdhënie miqësore komunikimi dhe sigurisht kemi edhe disa kujtime deri tani, por është një inteligjencë mbresëlënëse. Ai është shumë i interesuar për Ballkanin dhe është një temë që i intereson shumë.

Pastaj flasim për historinë e politikës franceze, për personazhe”, tha Rama për Macron. Ndërsa për biznesmenin George Soros, Rama hodhi poshtë zërat se ai na kontrollon duke thënë se nuk ka asnjë interes financiar në Shqipëri. “Soros me Shqipërinë ka pasur lidhje të kahershme si në shumë vende të tjera. Ka bërë investime që ishin të pamundura në atë kohë, shkolla. Pra ka qenë një krah i Ministrisë së Arsimit në vitet ’90 dhe sidomos pas vitit ’97. Ndërkohë, ishte njeriu që të gjithë të rinjtë, qofshin të gazetarisë apo asaj që filloi të formohej si shoqëri civile, të kishin mundësi për të udhëtuar jashtë për punët e tyre.

Të kishin mundësi për projektet e tyre. Sorosi nuk ka pasur dhe as nuk ka interes financiar në Shqipëri, zero. As për të investuar, as për të përfituar”, tha Rama. Sa i përket konspiracionistit Alfred Cako, u shpreh se i shkruan vazhdimisht, por e cilëson si personazh simpatik. “Më shkruan herë pas here, më paralajmëron për ardhjen e apokalipsit, por është personazh shumë simpatik. Teoritë e tij janë poezi që mund të konsiderohen si pjesë e fantazisë dhe e dellit krijues të njeriut”, tha Kryeministri. Ndërsa teorisë së tij se Edi Rama nuk është i vërtetë, por kloni i tij, iu përgjigj: “Pikërisht pra. Sidomos dhe tani që kam bërë botoks”.

Edi Rama: Ardhja në jetë e Zahos më ka ndryshuar jetën

Në emisionin “E diell”, ku ishte përballë Edi Manushit, Kryeministri Rama foli për marrëdhënien me djalin e vogël, duke treguar se perceptimi i tij për fëmijët përpara se të njihej me të ishte ajo e fëmijëve që qanin në avion. Në rrëfimin e tij, Rama thotë se mendonte se ishte e tmerrshme ta përballoje këtë gjë, por Zaho i ka ndryshuar jetën. “Për fëmijët e vegjël kisha vetëm një perceptim, perceptimin e atyre që qajnë në avion. Më dukej e tmerrshme që të përballoje… ideja ime ishte që qanin gjithë ditën. Më dukej… Zaho më ka ndryshuar jetën”, tregon Rama.