Adriatik Llalla u bë nga pozicioni i Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, simboli i sistemit të vjetër të drejtësisë, që ishte gati të bëntë gjithçka për të mos lejuar reformimin e tij. Bashkë me rënien e modelit të vjetër që e kishte shndërruar pushtetin e drejtësisë në një nga tri kolonat më të kalbura të shtetit shqiptar, do rrëzohej edhe elita politike që e kishte projektuar atë, që e kontrollonte dhe që ishte gati të bënte gjithçka për të mos e humbur këtë privilegj ekskluziv.

Ndaj nuk është rastësore se përse nga salla e Parlamentit u godit me kapsolla e çizme dhe godina u rrethua nga protestuesit e opozitës duke kërcënuar me pushtimin e saj, në ditën që shkarkohej Adriatik Llalla. Rënia e simbolit të drejtësisë së vjetër, shënoi edhe fillimin e fundit, të elitës së vjetër të kriminalizuar e të korruptuar të Shqipërisë.

Lulzim Basha e Sali Berisha, Ilir Meta e Monika Kryemadhi e dinin këtë, ndaj e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga fati i parashkruar i Adriatik Llallës, ishte që të bënin gjithçka për të penguar ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë që po investoheshin direkt në çdo pikëpamje, edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian.

Kjo ishte arsyeja se përse dogjën mandatet e deputetëve të opozitës. Dolën nga Parlamenti. Sulmuan me zjarr e hekur institucionet kushtetuese të vendit. Çdekretuan zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019 dhe i bojkotuan ato në të 61 bashkitë e vendit. Qëllimi ishte që të injektohej një krizë artificiale politike dhe institucionale nga lart, me qëllim gjunjëzimin e mazhorancës, deri në arritjen e një pazari politik në tavolinë që do të çonte në bllokimin e reformës në drejtësi.

Adriatik Llalla sot është në bankon e të akuzuarve, për një seri veprash shumë të rënda penale, të cilat me siguri mund të çojnë në burgosjen e tij. Në datën 22 prill, vetëm tri ditë përpara të dielës së madhe të votimeve, simboli i drejtësisë së vjetër do jetë sërisht në sallën e gjyqit të drejtësisë së re.

Rastësi ose jo, por e gjitha duket si një parathënie tepër kuptimplote, se radha pas kësaj është e elitës së vjetër politike, që dikur bëri gjithçka për ta mbrojtur Adriatik Llallën. Dikur nuk i linin radhë njëri tjetrit për ta patur sa më pranë, ndërsa tani e kanë braktisur të gjithë nën mëshirën e fatit dhe bëjnë sikur nuk po e shohin fundin e tij të sigurtë.

Nuk është se nuk u dhimbset kur e shohin të zvarritet ashtu i vetmuar nëpër oborret, koridoret dhe dyert e drejtësisë, por është instikti i vetëmbrojtjes por veten e tyre nga fati i njëjtë që paralajmëron një ndëshkim të sigurtë. Fillimisht nga shqiptarët me votë, e më pas, për ti dhënë mundësinë drejtësisë së re që ti gjykojë për të gjitha mëkatet e vjetra./ Alpenews.al