Nga Adriatik Doçi/ Vrasja politike e Pjerin Xhuvanit, për llogari elektorale të opozitës, ka nxjerrë në pah një skandal kombëtar, por jo të paprecedentë.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, pranoi më zë dhe figurë, se PD-ja ka ngritur strukturë të armatosur paramilitare, gjoja për mbrojtjen e votës, strukturë e cila ngre postblloqe nëpër qytete, ushtron kontrolle dhe madje edhe vret në emër të partisë dhe nën urdhrat e saj, siç ishte ekzekutimi i Pjerin Xhuvanit, një personazh me peshë elektorale që kishte prishur llogaritë e PD-LSI-së.

Arbër Paplekaj, i cili vrau Xhuvanin, ishte pjesë e kësaj strukture të armatosur, e cila në përbërje të saj ka ish-punonjës të Policisë së Shtetit, kryesisht nga Veriu i vendit, si dhe militantë kamikazë të rekrutuar nga partia që synon të vijë në pushtet.

Mes mercenarëve të rekrutuar ka edhe personazhe me të shkuar kriminale dhe që nuk e kanë problem të vrasin në emër të PD-së, pavarësisht kostos së kalimit të pjesës tjetër të jetës në burg. Struktura të tilla të paligjshme, paralele me strukturat e shtetit, janë pjesë e traditës së Partisë Demokratike, traditë nga e cila Lulzim Basha tregoi se nuk çlirohet dot.

Ditët e para të marsit të vitit 1997, Sali Berisha, urdhëroi krijimin e strukturave të ngjashme paramilitare, me militantë, punonjës të SHIK-ut dhe policisë të armatosur, të stërvitur dhe organizuar si një shtet paralel.

Këto grupe Sali Berisha nisi drejt qyteteve të Jugut për të shtypur revoltën popullore, e provokuar nga firmat piramidale, vjedhja e zgjedhjeve të 26 majit 1996, reprezaljet me SHIK-un famëkeq të Bashkim Gazidedes, dhunimi dhe përndjekja e kundërshtarëve politikë etj.

Ndryshimi konsiston vetëm në faktin se Lulzim Basha, me trupën e armatosur që ka krijuar, synon të vijë në pushtet përmes terrorit, ndërsa paraardhësi i tij, Sali Berisha, me batalionet paramilitare në marsin e ’97, synonte që përmes terrorit të ruante pushtetin që kishte marrë, përmes zgjedhjeve të 26 majit ’96, të parat dhe e fundit që nuk u njohën nga ndërkombëtarët dhe që u kërkuar përsëritja e tyre. Organizimi, funksionimi, natyra e paligjshmërisë dhe synimet janë të njëjtat.

Historiku i grupeve paramilitare të PD

9 marsi 1997 shënon lëvizjen e parë të Partisë Demokratike me në krye Sali Berishën, për krijimin e grupeve paramilitare, paralel me strukturat e shtetit, me qëllim shtypjen e rebelimit popullor dhe mbajtjen e pushtetit me çdo kusht. Pasditen e dy marsit 1997, Sali Berisha urdhëron mbledhjen e Kuvendit me urgjencë, miraton gjendjen e jashtëzakonshme, e cila hyn në fuqi brenda disa orësh gjendja e jashtëzakonshme dhe emëron kreun e SHIK-ut, Bashkim Gazideden, Komandanti të Shtabit të Gjendjes së Jashtëzakonshme, pas protestave kundër pushtetit të tij në të gjithë Shqipërinë, por sidomos në Vlorë, Fier, Lushnje etj.

Shtatë ditë më vonë, del urdhri sekret nr. 82 datë 09.03.1997 drejtuar rretheve Has, Kukës, Tropojë, Pukë, Mirditë, Shkodër, Dibër, Kurbin. Lezhë, Malësi e Madhe, Burrel, në të clin thuhej: “Të gjithë rezervistët që paraqiten në repartet ushtarake të rrethit tuaj, të vishen e të kompletohen me armatimin e nevojshëm e të nisen urgjent për në Akademinë e Forcave Tokësore, Tiranë, ish-Shkolla e Bashkuar. Lajmëroni dhe Shtabin e Përgjithshëm’.

Urdhri lëshohej nga Bashkim Gazideden dhe Shefi i Shtabit të Ushtrisë, z. Adem Çopani, të cilët ishin nën urdhrat e Berishës. Rezervistët ishin në fakt militantë të PD-së, policë dhe punonjës të SHIK-ut. Më pas këto grupe janë armatosur dhe stërvitur, duke marshuar drejt Jugut nën komandën e Agim Shehut dhe Bashkim Gazides. Mënyra e organizimit të këtyre grupeve paramilitare është dokumentuar nga Komisioni për Hetimin e Ngjarjeve të muajve janar-qershor ’97, konkluzionet e të cilit janë publikuar ekskluzivisht nga Shqiptarja.com muaj më parë.

Pas dorëheqjes së Sali Berishës nga Partia Demokratike dhe ngjitjes së Lulzim Bashës në krye të partisë, nisi të krijohej një grup djemsh vullnetar, me emrin “Korpusi Azem Hajdari”. Grupi nisi tè shfaqej në protesta, por megjithatë nuk ishte i armatosur dhe nuk ka të dhëna për veprimtari të paligjshme, si struktura e aktuale e PD-së që ka dubluar policinë.

Struktura me natyrë paraushtarake “SMV”

Mbrëmë u mësua për herë të parë për ngritjen e një strukture, paralele me organet shtetërore, nga Partia Demokratike, të quajtur “Struktura për Mbrojtjen e Votës” (SMV). Struktura me natyrë paraushtarake “SMV”, që Gazment Bardhi pranoi publikisht, është ngritur në mënyrë të fshehtë disa muaj më parë, si pjesë e strategjisë elektorale të Lulzim Bashës. Ashtu si paraushtarakët e Berishës 24 vite më parë, edhe paramilitarët e Lulzim Bashës, që janë rekrutuar në strukturën e radhës, janë nga disa zona të Veriut të Vendit. Ata janë rekrutuar jo vetëm në bazë krahinarizimi, por edhe në bazë bindjesh politike, të shkuarës së errët dhe në këmbim të interesave të ndryshme.(Shqiptarja.com)