Kryeministri Rama ka zhvilluar një takim në Rrogozhinë me fermerë, përfitues nga Skema Kombëtare e mbështetjes në bujqësi.
Falë kësaj mbështetje, kostot e fermerëve janë ulur, përkatësisht nga përjashtimi nga TVSH i inputeve bujqësore dhe i makinerive dhe pajisjeve. Kjo e fundit ndikon në rreth 52 mijë fermerë. Norma e reduktuar 5% e tatimit mbi fitimin për operatoret në fushën e bujqësisë gjithashtu e lehtëson këtë sektor.
Rama deklaroi se eksportet bujqësore kanë pësuar rritje krahasuar me vitin 2013, gjë që ka sjellë uljen e raportit eksport vs import nga 1:7 në 1:3. Kjo rritje ka vazhduar edhe përgjatë vitin 2020, një vit i vështirë ky për të gjithë sektorët në vend. “Sot eksportet kanë arritur në 400 milion nga 100 milion. Në planin tonë të veprimit 2021-2025 do t’i çojmë në mbi 1 miliard, çka do të sjellë më shumë fuqi prodhuese për Shqipërinë dhe më shumë të ardhura për ju” – u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se përgjatë përgjatë këtyre 8 viteve qeverisje, është dyfishuar sipërfaqja e tokës së punueshme nga 125 mijë hektarë në 250 mijë. Ndërsa përgjatë viteve 2017-2021 janë investuar 100 milionë dollarë në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit, duke përmirësuar 230 mijë hektarë të sipërfaqjes totale kulluese.
Një tjetër skemë mbështetëse për fermerët është edhe Skema IPARD 2 e cila ka vendosur në dispozicion 94 milionë euro. Falë lehtësirave në aplikim, i cili bëhet online dhe pa asnjë dokument, përgjatë katër viteve janë lidhur 271 kontrata me vlerë financiare 5.7 miliard lekë. Ky interes e rendit Shqipërinë të parën në rajon për thithjen e fondeve nga Bashkimi Europian.
Ndërsa ndihma më e fundit është ajo e naftës falas për fermerët e regjistruar, një investim buxhetor prej 1 miliard lekësh i cili hyri në fuqi në vitin 2021. 70 mijë fermerë kanë mundësi për të përfituar nga kjo skemë me 0 akcizë, 0 taksë qarkullimi dhe 0 taksë karboni.