Një studim i ri në Turqi tregon se vaksina e firmës kineze Sinovac krijon mbrojtje ndaj COVID-19 tek mbi 97% e të vaksinuarve. Në këtë përfundim është arritur në studimin më të fundit të kryer nga Universiteti Xhelal Bajar i Manisës, që shquhet për kërkime shkencore në fushën e mjekësisë.

Mediat turke shkruajnë se Sinovac krijon imunitet të lartë sidomos tek gratë në 99.2% të rasteve. Tek meshkujt, ky nivel ishte 3.5% më i ulët dhe arrinte një nivel prej 95.7%.

Për kryerjen e këtij studimi u përpunuan analizat e anti-trupave të më shumë se 1 mijë vullnetarëve të cilët u vaksinuan me dy dozat e Sinovakut në periudhën nga nisja e vaksinimit më 11 Janar e deri më 28 Mars.

Imuniteti arrinte në këto nivele 28 ditë pas dozës së dytë. Ndërsa me injektimin vetëm të dozës së parë, anti-trupa të mjaftueshëm për t’i bërë ballë infektimit me koronavirus, krijonin pas 28 ditësh vetëm 29.5% e grave dhe 18.6% e burrave.

Sakaq, të dhënat më të fundit tregojnë se nga 17 milionë dozat që Turqia ka pasur në dispozicion për vaksinimin deri më tani, mbi 84% janë nga firma kineze Sinovac, një shifër që ashtu si në Brazil tregon qartë se pa vaksinat kineze, vaksinimi nuk do të kishte nisur, përparuar e ndoshta do të kishte nisur 3 muaj me vonesë.