Nga Alfred Peza/ Bërja publike e ekzistencës së një database që paskërkash PS e Tiranës, me emrat e votuesve dhe numrat e tyre të telefonit, po tentohet me zell që të shitet si një skandal i madh i bërë nga ana e mazhorancës. E si të mos mjaftonin vetëm mediat pranë opozitës, në lojë janë futur PD dhe Presidenti i Republikës në emër të LSI me sa duket, meqë nga andej ska patur qëndrim tjetër.
Më duhet të them që në fillim, se nëse partitë politike nuk do të kishin lista votuesisht, ato nuk do të quheshin të tilla. Sepse në fund të fundit, partitë kuotohen në bursën e politikës që hapet ditën e zgjedhjeve, vetëm përmes votave të qytetarëve që e gëzojnë këtë të drejtë.
Por për të mbërritur deri tek numërimi i votave në kuti, partitë kanë struktura nga qendra e deri në bazë, kudo ku jetojnë e banojnë votuesit shqiptarë. Një nga strukturat më të rëndësishme të partive, janë ato të organizimit tradicional dhe digjital të punës së tyre qofshin në mazhorancë, a qofshin në opozitë. Qoftë përpara fushatave, mes dy zgjedhjeve (lokale e të përgjithëshme), por edhe pas tyre.
Për të arritur rezultatin e dëshiruar, partitë kanë jo vetëm drejtues dhe anëtarësi, por edhe struktura e hallka ndihmëse. Partitë politike janë organizma të gjalla që kanë edhe histori, edhe memorie, edhe përvojë, edhe ekipe. Sikundër kanë programe, kanë dokumenta bazë përmes të cilave rregullojnë punën dhe veprimtarinë e tyre. Kanë struktura që bëjnë analiza në rast humbje apo fitoreje. Sikundër, bëjnë edhe verifikime për shpërndarjen e mbështetësve dhe përkrahësve të tyre në terren.
Ajo që po i mëshon më së shumti propaganda e opozitës në këtë rast, janë numrat e telefonit të votuesve, duke e cilësuar këtë si thelbin e skandalit për shkak të klasifikimit të saj me termin; “të dhëna personale”. E bashkë me këtë, përdorimin e termit “patronazhist”, e konsiderojnë gjithashtu si një element që e mbështet “zbulimin” e tyre të madh!
E para, numrat e telefonit të votuesve janë lehtësisht të gjendshëm, në kushtet e sotme kur komunikimi me celular është një mënyrë jetese, në stadin e përhapjes e përdorimit të teknologjive digjitale dhe të ekspozimit me dëshirë nga gjithkush të të dhënave të veta “personale” në rrjetet sociale.
Për të gjithë opozitarët që kanë harruar, mjafton tu kujtoj se ku i gjeti PD numrat e celularit të qytetarëve kur u çoi me “dhunë” duke i shkelur edhe privatësinë, audiomesazhin e Lulzim Bashës në fushatat e shkuara elektorale.
E dyta, përsa i përket shënimit përkrah emrave të votuesve, edhe të propabilitetit të tyre për të votuar njërën apo tjetrën parti, jo rrallëherë, kjo është edhe gjëja më e lehtë për tu kuptuar. Mjafton të kemi parasysh se pas rreth 20- 25 zgjedhjeve dhe referendumeve që janë zhvilluar në 30 vitet e fundit, gjithkush e ka pothuajse të afishuar vetë publikisht anësinë e tij politike në Shqipëri.
Ndaj nuk është aspak e vështirë për vullnetarët e secilës parti politike, të identifikojnë përkatësinë partiake të dikujt që ka komshi në pallat, rrugicë apo në lagje. Aq më pak është e vështirë të kuptosh anësinë politike të personazheve publikë, të cilët e ekspozojnë në ekrane, pro apo kundër kujt lideri dhe partie janë. Siç nuk është e vështirë të kuptohet, se unë jam një votues i PS.
E treta, përsa i përket “patronazhistit” të PS, do u kujtoja se PD e quan këtë person; “koordinator”. Mjafton të kujtoni audion virale të “koordinatores” së PD me emigrantin e sapo kthyer në Shqipëri, apo telefonatat që keni marë javët dhe ditët e shkuara nga SHQUP, për tiu përgjigjur një “pyetësori” prej të cilit lehetësisht zbulohet se kujt do ia japësh votën të dielën e 25 prillit.
Sikundër LSI e quajti “patronazhistin” e vet “trajnues”, si ai që u kap në Pukë me lekët, fletën e votimit të plotësuar dhe listën me emra, mbiemra, numra celulari madje edhe me numrat e ID të votuesve të vet. Por për këtë, të njëjtët që sot po ulërasin për gjoja skandalin e PS, nuk thanë as edhe një fjalë.
Kaq mjafton për të kuptuar, se thjeshtë po kërkojnë të shpikin “skandalin” e radhës për mazhorancën, thjeshtë dhe vetëm në funksion të zhurmës për zhurmë, në kulmin e fushatës elektorale.