Nga Jorgo Mandili*
Konkluzionet e këtij triptiku janë mbështetur në vëzhgimet 30 vjeçare të këtij tranzicioni të trishtë të politikës absurde shqiptare të drejtuar nga disa monstra që në këndvështrimin psikoanalitik sjelljet, qëndrimet dhe veprimet e tyre shfaqin devijime mendore nga normaliteti (autsajder mendor), madje në kushte të caktuara sociale-politike këto devijime janë tepër agresive dhe destruktive. Trojka Sali-Ui nekrofili, Ilir Meta hipokriti dhe Lul Basha distopiku, mbeten përfaqësuesit më groteskë të destruktivitetit dhe shkatërrimit total të Shqipërisë, të ardhur në politikën e tranzicionit me background-e të ndryshme, përkatësisht-ish komunist, i papunë dhe i kooptuar.
Figura të tilla groteske, dramatike e tragjikomike, dalin në kushte të përgjithshme krize social – ekonomike e politike, kur turma vulgare, të indoktrinuara dhe mediokre, përfshihen nga gjithfarë ndjenjash shqetësimi, agresiviteti, urrejtjeje, abuzivizmi, korrupsioni e dhune. Atëherë në krye të tyre ata nxjerrin personat që këto ndjenja i kanë të shprehura më qartë.
KAINI – SALI UI
Në këtë parashtresë nuk na interesojnë bëmat e SALI-UI-së, se gjithë populli e di se çfarë i ka bërw Shqipërisë ky KAIN. Atë që nuk ia ka bëre asnjë armik-thotë poeti A.Duka – “ndaj në çdo fletë të historisë do të mbetet Mallkimi më Biblik”. Na intereson të sjellim në vëmendjen e njerëzve sjelljet, veprimet dhe cilësitë karakterologjike të tij në këndvështrimin psikoanalitik. Portretizimi psikoanalitik i një individi të tillë na lejon të zbulojmë fytyrën e tij të vërtetë, sepse duke qenë edhe influent në politikë ky individ , mbetet kërcënim real për shoqërinë. E thënë ndryshe, çështja nuk është në se është dhe sa është shkatërrimtare sjellja e Sali-Ui, po se destruktiviteti është një shprehje e programit instiktiv të sjelljes së tij. Pasioni për të shkatërruar në emër të shkatërrimit është tipar i karakterit të tij. Dhe tashmë është e provuar nekrofilia e kësaj monstre politike.
Për lexuesin, Nekrofilia është “shfaqja më direkte e destruktivitetit irracional të shkatërrimit në emër të shkatërrimit, si një tipar i rrënjosur në natyrën e njeriut, si një shprehje e programit instiktiv të sjelljes së tij”(E.Fromm). Nekrofili – dashamir i vdekjes (nekros – vdekje,” filos” – mik) mendon dhe vepron në emër e në funksion të pasionit të tij për shkatërrim e shfarosje. Ai ka tërheqjen pasionante për gjithçka që është e vdekur, e prishur, e kalbur, e sëmurë; është pasioni për të shndërruar atë që është e gjallë në diçka të vdekur; të shkatërrojë për hir të shkatërrimit; interesi ekskluziv për gjithçka është thjesht mekanik. Është pasioni “të shkatërrosh strukturat e gjalla”.
Dhe tek Sali- Ui mund të konstatohet jo vetëm një bartës i nekrofilisë, që buron nga qenia e vet, por edhe të një nekrofili, që u përzgjodh nga “dikushi”, si një qenie njerëzore që ka aftësi të racionalizojë veprimet e tij sipas ‘kodeve” të besnikërisë tribale dhe burokratike, duke kryer vetëm detyrën që i jepet, aftësi kjo, që e zhveshi nga njerëzorja duke e tjetërsuar në një “përbindësh banal” – armik të njerëzores, në një Kain, që sakrifikon çdo Abel që e pengon në zbatimin e synimeve të tij. Urrejtja ndaj jetëve njerëzore dhe destruktiviteti i tij mendor e kthyen pushtetin e tij për shqiptarët në një sistem vrasës të lirisë, shpresës, besimit, dinjitetit njerëzor dhe të dëshirës për të jetuar në këtë vend duke iu “ngrirë buzëqeshjen” shqiptarëve”.
Ligësia e këtij nekrofili nuk buron nga egoja e tij si qenie njerëzore, por nga urrejtja ndaj jetëve njerëzore, pos vetes dhe familjes së tij. Ligësia e këtij “monstrumi” nuk lind nga dredhitë e tij satanike, por nga destruktiviteti i tij mendor, që nuk i lejon të marrë parasysh pasojat morale të asaj çfarë bën kur zbaton detyrën e dhënë…
Me një përvojë shumëvjeçare në politikë, ky nekrofil, ka qenë dhe mbetet “arkitekt”konfliktesh të egra, armik i miqve të tij më të mirë, i frikshëm për të afërmit, shpërfillës i ligjeve, i shqetësuar edhe nga era më e lehtë, armiqësor dhe agresiv ndaj fjalëve dhe punëve të mira, gjithmonë i gatshëm të godasë e të veprojë vetëm me dhunë deri në vrasje e shkatërrime, “skenarist” dhe “regjisor” intrigash e improvizimesh ngjarjesh e situatash ireale, inspirues i turmave vulgare për të “marshuar”drejt marrjes së pushtetit me dhunë.
Asgjë tjetër nuk të ngjall neveri se, sa pamja e egër dhe e dhunshme e fytyrës së tij: -E zbehtë kur i ikën gjaku (kujto pamjet televizive të fytyrës tënde pas Gërdecit apo atë të 21 janarit me Ndrea Prendin etj) -E skuqur dhe e përgjakur kur vërshon hakmarrja: venat i fryhen, sytë herë i zgurdullon e herë i shqyen, gjoksi i tundet nga një frymëmarrje gulçuese, britmat e tërbimit i’a fryjnë qafën, pastaj gjymtyrët i dridhen, duart i tunden me forcë, i gjithë trupi i lëkundet nga përpëlitjet. A nuk do të dojë të na tregojë shëmtinë dhe egërsinë e zemërimit të tij , se çfarë “monstrumi” është njeriu i tërbuar nga inati kundër të ngjashmeve të vet”?
Fjalët e tij janë edhe më të hidhura e më të tmerrshme kur “fyen, shpif, dhe kërcënon qindra gra shqiptare, që merr nëpër gojë e akuzon neveritshëm nënat, motrat e vajzat e kundërshtarëve të tu , pa marrë parasysh se edhe vetë ka grua, vajzë e mbesa.-Tërbimi e kap kur përgojohet Familja e tij, vajza, djali, mbesat etj, një tërbim i egër, gjakatar, i zbehur, i mbështjellë me errësirë, i neveritur nga të gjithë, përpos atyre, besnikëve që janë gati të vdesin me vdekjen e tij . I gatshëm për t’a kthyer përmbys gjithçka: detin, tokën, qiellin, a thua nuk ka mjet tjetër për të mbrojtur veten dhe familjen. Por harron një gjë : “se po e bëre shurrën në det, kripën do ta hash në gjellë” .
Demagog i lindur. Grumbullon e stis fakte, që vërtetojnë tezat e tij, i plazmon ato njëra me tjetrën me hamendje dhe nxjerr tekstin plotësisht bindës, sidomos për kundërshtarët e tij politikë. Zemërimi në sjelljet, qëndrimet, veprimet dhe fjalimet e tij është i vërtetë, jo i shtirur, sepse atë e ushqen urrejtja për çdo gjë të arritur, të suksesshme të kundërshtarit. Falë kujtesës dhe fantazisë së tij të shfrenuar, i arrin qëllimet e tij, deri aty sa ta “bëjë edhe gomarin mashkull me barrë. ” –
Aktrimi është një karakteristikë tjetër e sjelljes së tij destruktive. Mënyra e komunikimit të tij – tjetër me të tutë, tjetër me kundërshtarët politikë, tjetër me ambasadorët, tjetër me parlamentarët evropiane e tjetër me kongresmenët amerikane. E kështu i mashtron dhe i hipnotizon të gjithë, deri në atë shkallë sa që kur vret njerëz e quajnë “burrë shteti”. Si një aktor i vërtetë, me këtë rol ai fsheh demagogjinë e tij.
Servilizmi dhe hipokrizia e tij janë mbresëlënëse. U bë anëtar partie, iu vardis edhe fëmijëve të Enverit, Hysniut e të afërmve të tyre. Pastaj pas vdekjes së udhëheqësit, iu vardis Simonit, Ramizit etj. Admirimi që shkaktonte kjo shtresë tek ai, dhe prania e tij në këtë shtresë i jepte mundësinë për t’u hakmarrë ndaj atyre, të cilët nuk e kanë përfillur më parë. Një njeri pa pikë mëshire dhe keqardhje, vullkan që vlon nga nxitjet arkaiko -primitive, duke dalë jashtë vetes së tij përpiqet të tregohet besnik i partisë (kujto shoshorët e të tjerë), të shfaqet si i miredukuar e familjar i rregullt, siç donte partia, aktivist në punë në lagje e kudo, një xhentëlmen i vërtetë.
Synimet e tij falë aftësive të tilla , papritmas u bashkuan me realitetin social – politik të rënies së komunizmit Dhe, në këtë kohë ai u tjetërsua nga “komunist i devotshëm”, në një “agjent” të krahut reaksionar e revanshist me propagandë antikomuniste dhe nacionaliste, vetëm e vetëm që të bëhej i besueshëm për padronët e rinj. Këtu u shfaq në rolin e kumarxhiut politik. Filloi të luaje bixhoz me jetën e shqiptarëve. Kur gjithçka u dogj, u shkatërrua, u rrënua, u plaçkit, u vra, u pre, zotërisë së tij nuk i erdhi keq për ato që i bëri dhe vazhdon t’i bëjë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe asnjëherë nuk është penduar dhe të kërkojë falje publike
Falë pandëshkueshmërisë së tij nga pasardhësit, duke filluar nga Nano, Meta, Majko dhe së fundi Edi Rama që e premtoi dhe nuk e bëri, por na e la përsëri “peshqesh” në politikë dhe në jetët tona duke fituar statusin e të “paprekshmit”dhe si i tillë, i përkëdhelur edhe nga media “filoberishiane” dhe nga moderatorët lajkatarw, iu krijuan të gjitha mundësitë për të shfaqur protagonizmin e tij të shëmtuar si “qytetari digital” kurse nesër do ta shohim si deputet në parlament për të na kthyer në “mon’ e shkuar”, në ato mote kur shqiptarëve u ngriu buzëqeshjen në buzë.
Dha dorëheqjen por nga politika nuk u largua. Pse vallë kërkon të rifutet dhe do futet falë “birit të tij shpirtëror” ” shakaxhiut të ndryshimit”, Lul Distopikut. Nuk largohet sepse e ndjen që do ta harrojnë shpejt. Dhe këtë e di mirë. A nuk ka vepruar në këtë mënyrë edhe vetë ky me ish udhëheqësit e Partisë së Punës? Ashtu siç ka vepruar ai me këta, ashtu do të veprojnë edhe të tijtë me të. Ai e ka kuptuar më mirë se kushdo, se i vetmi instrument që i tërheq njerëzit drejt liderit është pushteti i tij, prandaj dhe dashuria e tij me politikën dhe partinë është e pakufishme. Atë që kishe synuar gjithmonë -Pushtetin – me anë të të cilit mbolle kudo farën e Urrejtjes dhe të Shkatërrimit.-Paranë – që së bashku me partinë – bandë, vodhe, vrave për të shkatërruar dhe pasuruar. Dhe fitove!
Ata, që me të vërtetë kanë humbur,janë qindra – mijrat e shqiptarëve, që u degdisen rrugëve të botës, që u droguan e prostituan, që u vranë e u burgosën, që u ndanë për së gjalli me njerëzit e dashur, e që vuajnë ende për bukën e gojës,kurse ti me familjen tënde , jo vetëm që bën jetë përrallore në vilat e tua dhe të fëmijwve të tu, brenda e jashtë vendit, por… edhe vazhdon të kërcënosh, të bërtasësh e ulërasësh për revolucion, për shkatërrime , për vrasje me snajpera, topa e raketa, sikur të jesh vetë Zeusi mbi Tokë. Përse? Për të mbuluar gjëmën e madhe qe i ke shkaktuar këtij populli e këtij vendi.
HIPOKRITI – I ZEMËRUARI I MADH
Hipokrizia – shtirja e individëve që pohojnë se kanë virtyte, besime, parime e moral, mendime racionale apo ndjenja humane, por që në të vërtetë nuk i kanë. Por sjelljet dhe veprimet e tyre janë në kundërshtim me ato çfarë pohojnë. Për t’i bindur njerëzit, këta tipa, përmes një promovimi manipulues e mashtrues i prezantohen publikut si personalitete me moral të lartë e ndjenja humane, pavarësisht mëkateve që mbart shpirti i tyre. Shembull emblematik i kësaj hipokrizie është Ilir Meta. Hipokrizia e tij lidhet me origjinën e lindjes dhe kushtet në të cilat është rritur. Duke i përkitur një shtrese të ulët ekonomike e kulturore, ambicioz e egoist, gjithmonë ka ndjerë këtë dhe ka synuar me marifete të ndryshme përfshirjen e tij në politikë duke u shtirur herë si socialist herë si demokratikas, gjithmonë për interesat e veta pragmatiste. Po t’i analizosh me vëmendje fjalimet e tij, do të konstatosh se ato nuk janë të ngarkuara me hollësi gjykimesh intelektuale apo morale. Ato janë vepra të një fjalori të rrugës, por jo të një njeriu të edukuar, të fisnikëruar, humanist e qytetar.
Dikur “Kingmaker” i politikës shqiptare, që me aq elegancë e i sigurt ecte mbi tel, me shkopin e ekuilibrues sa djathtas e majtas -si një artist cirku i politikës shqiptare- tani në këtë gjendje të dëshpëruar, i lëshuar, i çekuilibruar, i çakorduàr nga “shenjtëria” kushtetuese, që ishte gati të bëhej fli për mbrojtjen e saj. Një ndryshim drastik – nga një “babaxhan” plot qetësi e dashuri në një i zemëruar i madh deri në tërbim ,madje edhe shkelës i ” shenjtërisë” kushtetuese, që aq fort e ka për zemër saqë edhe SPAK-u, nuk reagon. Përse ky ndryshim? Mesa duket, elementët qelizorë “Shejtanum Viçidolum”, me të cilat ai ka filluar të ushqehet dy vitet e fundit e kanë tjetërsuar duke e kthyer nga një “Kingmaker” në një “Virusmaker” – në një mutacion fleksibël, të paqëndrueshëm, që përpos të tjerash edhe me efekte anësorë jashtëkushtetuese.
Po përse ky zemërim i madh? Sipas mjekut Edgar Cayce zemërimi thellohet edhe kur ke një shqetësim për një hall të madh, të një pritshmëri të pakëndshme për veten dhe familjen. Në këtë rast, zemërimi nxit sekretimet nga gjëndrat endokrine, duke rrjedhur në gjithë trupin. Sekrecionet e shkaktuara nga zemërimi bëjnë kërdinë mbi shëndetin. Zemërimi shkakton helmim që është i sekretuar nga gjëndrat. Gëzimi ka efekt të kundërt – përfundon dr. Cayce.
Dhe vërtet, duke thelluar veset e tua dhe duke mbartur në shpirt mëkate, që ti vetë i di, vuan pikërisht për atë që të bën t’i largohesh asaj ç’ ka të mundon. Dhe ajo që të mundon, kuptohet është diçka shumë serioze. Përderisa të ka çekuilibruar mendërisht, që të dalësh për fushatë krah opozitës një veprim ky antikushtetues, kundër Edi Ramës me një mllef që e shfaq hapur, sidomos kur je pranë spitalit të të marrëve në Vlorë tregon se pritshmëritë për të ardhmen tënde nuk janë plot “qetësi e dashuri”. Por çfarë mund të të ndihmojnë për këtë mitingjet, Saliu, Luli, e të gjitha ato figura groteske që të rrethojnë? Ç’kotësi! Ky mundim të ka kapluar shpirtin kaq shumë, saqë zemërimi të është kthyer në tërbim. Ti mund të organizosh mitingje e të shëtisësh qytete e fshatra të tëra, të puthësh e tundësh flamuj sa të duash, të betohesh e përbetohesh, por megjithatë veset e tua do të të ndjekin pas kudo. Edhe zemërimi është një ves, një dëshirë e dhunshme për t’u hakmarrë, që shkakton dëme të mëdha, jo vetëm te një njeri, por edhe tek një bashkësi shoqërore. Në rastin në fjalë është bashkësia e shumicës së popullit që pret nga ty “qetësi e dashuri”, fisnikëri e qytetari e mbi të gjitha unitet e bashkim. Ashtu si çmenduria, edhe zemërimi nuk mund të përmbahet; zemërimi e nëpërkëmb mirësjelljen, ngul këmbë në të vetën si mushka, i qepet keq asaj që ka ndërmarrë, nuk dëgjon as këshilla, as arsye, është i paaftë të dallojë të drejtën dhe të vërtetën.
*gazeta DITA