Kryeministri Edi Rama vizitoi sot në Poliçan, Skrapar, baxhon e familjes Sejdini, e kthyer nga emigracioni për të ngritur një sipërmarrje të vogël. “Falë mbështetjes tonë kjo baxho është kthyer në një model shembullor i ekonomisë rurale”, – tha Kryeministri Rama. Kreu i qeverisë i tha pronarit të baxhos se tani të del më mirë këtu në Shqipëri se në emigracion. Kryetari i bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, tha se “baxhoja falë mbështetjes së AZHBR-së është zgjeruar dhe tashmë është një investim bashkëkohor”. “Falenderoj qeverinë për mbështetjen. Kam qenë emigrant në Greqi dhe u ktheva. Kisha një punishte të vogël anës rrugës, por pas mbështetjes tuaj, qeverisë, BE-së, AZHBR-së, e ndërtova më të madhe. Falenderoj edhe kryetarin e bashkisë për procedurën e lejes së ndërtimit. Po ashtu ju falënderojmë dhe për rrugën e malit të Tomorit”, tha pronari i baxhos.
Sipas tij, të gjitha pajisjet janë të teknologjisë së fundit. “Marrim qumështin në gjithë bashkisë Poliçan, shtrihemi deri në kufi me Përmetin. Për dy javë mbledhim 120 kuintalë qumësht, potenciali është 150 kuintalë. Prodhojmë djathë të bardhë, kaçakavall, feta, kos, rikota etj.”, – tha ai. Pronari i fabrikës shtoi se “punojmë vetë familjarisht dhe kemi punësuar edhe 10 persona”.