Nga AlfreD Peza/ Pasi humbën të gjithë përballë Edi Ramës dhe PS në zgjedhjet e 25 prillit, në vend që të lexojnë me kujdes mesazhin që u dhanë shqiptarët me votë, opozitarët tanë kanë nisur menjëherë “lojën e strucit”. Duke dashur që ti fshihet rrezikut potencial që i kanoset, struci e fut kokën në rërën e shkretëtirës, duke besuar se meqë ai nuk e sheh më armikun, as ai nuk është duke e parë atë!
Këtë lojë e nisi i pari Sali Berisha, duke i fryrë borive të vjetra, se fajin e ka Rama! Ka më shumë arsye se të tjerët për ta bërë këtë, për aq kohë, sa ai vetë e di se është shkaktari kryesor i humbjes së opozitës. Sepse ai është ideatori i modelit të opozitarizmit anti- sistem, që u aplikua këto 4 vitet e fundit, e që u ndëshkua masivisht me votë nga shqiptarët.
Këtë lojë e pasoi Ilir Meta, i cili ka po aq arsye për të bërë sikur nuk e kupton, se është po aq shkaktar për humbjen e LSI dhe opozitës. Sepse të dielën u ndëshkua me votë, modeli i tij Presidencial.
Kjo lojë po vijon edhe nga Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe aleatët e tyre të vegjël. Sepse nuk duan që ta pranojnë, se u ndëshkua me votë, modeli i shitjes së tyre si një ofertë e re politike!
Lideri historik i demokratëve, nuk do ta pranojë, sepse e ka deklaruar herët se sa të jetë gjallë do jetë pjesë e politikës aktive. Do vazhdojë të qëndrojë aty, sepse me sa duket e ka jetike, të jetë në Parlament. Ska gjë se nuk shkoi asnjë ditë, për të bërë fushatë elektorale, në zonën e tij në Kavajë. E pavarësisht se ka marë më pak vota, se kurrë më parë, në karrierën e tij 30 vjeçare politike në qarkun e Tiranës!
Ilir Meta megjithëse i vuri 25 prillit notën 10 me yll, megjithëse kishte deklaruar se nëse Edi Rama fiton 71 mandate do japi dorëheqjen si President, sërisht nuk u largua. Megjithëse tha se e diela e votimeve do ishte referendum pro tij, ose kundër Kryeministrit, sërisht nuk u largua. Megjithëse është evidentuar si e keqja e madhe që i çoi në humbje, sërisht po bën lojën e strucit, me shpresën se populli opozitar nuk do i shohë përgjegjësitë e tij.
Lulzim Basha megjithëse ka humbur në 2015, 2017 dhe 2019, sërisht po tregon se nuk është i gatshëm të largohet duke marë përsipër përgjegjësitë. Kryetari i PD vijon të bëjë lojën e vjetër, duke u merakosur më shumë se mos Berisha jep ndonjë sinjal për ikjen e tij, sesa për demokratët dhe opozitarët që ndihen më të pafuqishëm se kurrë për të mundur Edi Ramën pas kësaj, e për tu rikthyer një ditë në pushtet.
Monika Kryemadhi nuk gjeti mundësinë ti kërkonte falje Ilir Metës në shtëpi, ndaj e bëri publikisht, duke pranuar se humbja nuk ka lidhje me asgjë që po artikulohet këto ditë. Rrënjët sipas saj, duhen kërkuar, këtu e dy vjet më parë. Atëherë kur ajo dhe Lulzim Basha shkuan të qeshur dhe krenarë, për të dorëzuar mandatet e deputetëve të opozitës, në godinën e Kryesisë së Kuvendit.
Asnjë prej 4 liderëve të opozitës, nuk duket i gatshëm që ti mari përgjegjësitë, si shkaktar i humbjes. Sepse një akt i tillë në politikë, bëhet nga liderë që vendosin interesat e popullit opozitar, mbi interesat e tyre personale. As bëhet fjalë, që Berisha ta pranojë, se është shkaktari kryesor i kësaj humbje. Ilir Meta, jo e jo. Lulzim Basha pret mëshirën e liderit historik për të vijuar, me frikën se nëse nis e i rrëshket këmba, Presidenti në ikje mund të rikthehet në skenë e ti zerë vendin deri më 2025.
Kaq mjafton për enturazhin e propogandës opozitare, që të shpikin lloj lloj teorish konspirative e pseudo argumentash qesharake, vetëm e vetëm për ta vijuar edhe ata lojën e strucit. Askush nuk pranon që ta shohi të vërtetën në sy. Askush nuk ndihet fajtor. Ndaj përgjegjësia e humbjes më të madhe që opozita ka pësuar në këto 30 vite të post komunizmit, do mbesi jetime. Në vend që ti shpëtojë, kjo thjeshtë po na tregon se si po e mbulojnë kokën me rërën e hipokrizisë, në mesin e shkretëtirës opozitare.
E si gjithmonë në të tilla raste, ka disa zëra që po rreken të nxisin një “kryengritje në SHQUP”, për të larguar Lulzim Bashën. Tentuan që ta bënin këtë më 2013. E tentuan sërisht edhe më 2017. Tani po e provojnë sërisht, si duke dashur që të na dëshmojnë, se do të jetë e treta e vërteta. Nëse do ia arrijnë, ose jo, kjo mbetet për tu parë.
E sigurtë është se Lulzim Basha nuk është gati që të largohet nga PD. Ndërsa Ilir Meta, e ka gati që tani teserën, për të luajtur “rikthimin e djalit plangprishës” në LSI. Pasi nuk e mundën dot Edi Ramën, me shumë gjasë do nisin luftën brenda llojit, për të shqyer njëri- tjetrin për skeptrin e liderit të opozitës!
Facebook Twitter Google+ LinkedIn