Shfaqja e rasteve të para me trombozë pas përdorimit të vaksinave të AstraZeneca dhe Johnson&Johnson ka krijuar nevojën e pashmangshme që në disa raste personat të marrin një dozë të të dytë nga një vaksinë tjetër.

Në mbretërinë e Bashkuar tashmë është zgjeruar studimi që shikon nëse njerëzit mund të marrin doza nga dy vaksina të ndryshme COVID-19 duke përfshirë në listë edhe vaksinat e krijuar nga Moderna dhe Novavax.

Studiuesit nga Universiteti i Oksfordit kanë përfshirë deri tani vetëm vaksinat e zhvilluara nga Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca, të dyja të aprovuara nga autoritetet britanike në dhjetor.

Qëllimi i studimit është të vlerësojë se sa mirë reagojnë sistemet imunitare të njerëzve kur doza e dytë është një lloj tjetër i vaksinës nga doza e parë “kryesore”.

Studiuesit nga Grupi i Vaksinave të Oksfordit besojnë se kjo qasje “përziej dhe përputh” mund të krijojë një fushatë vaksinimi më fleksibël dhe më të shpejtë.

Studimi filloi në shkurt dhe deri më tani ka përfshirë mbi 800 persona. Tani kërkohet për 1,050 pjesëmarrës shtesë, të cilët duhet të jenë mbi 50-vjeç dhe të kenë marrë dozën e parë të vaksinës 8 deri në 12 javë para se të regjistrohen në studim.