Ashtu siç raportoi të dielën gazetarja Anila Hoxha, pas mbledhjes së Komisionit të Disiplinës dhe një rishikimi të dytë të çështjes, janë pezulluar nga detyra tetë efektivë të Policisë së Burgut Fier.
Sipas burimeve, pezullimi do të jetë në fuqi deri në përfundimin e hetimeve ndaj tyre. Vendimi është marrë pas shqyrtimit të situatës nga Komisioni i Disiplinës, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.
Efektivët do të qëndrojnë jashtë detyrës deri në përfundimin e procesit hetimor dhe sqarimin e përgjegjësive të mundshme. Pezullimi i tyre lidhet me ngjarjen e të shtunës dhe rezulton se ata ishin të planizuar në dy sektorët e burgut.
Në konflikt u përfshinë Denis Brajovic (Bajri) dhe Jurgen Zotaj, të cilët mbetën të dy të plagosur. Denis Brajovic i njohur edhe me mbiemrin Bajri, është person me rrezikshmëri të lartë , i akuzuar nga SPAK për vrasjen e Gjin Ndoj. Ndërsa Jurgen Zoto mbahet në burg për vjedhje me dhunë dhe mbajtje pa leje të armës së zjarrit.
Sipas informacioneve, i pari që ka nisur konfliktin ka qenë Jurgen Zoto i cili ka goditur Denis Bajrin. Dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të marrë masa ndëshkuese për të dy personat, teksa pritet edhe një njoftim zyrtar për mediat.
Gazetarja raporton se të pezulluarit janë:
-K/Inspektor G.B. – Përgjegjës turni në regjimin e brendshëm.
-Inspektor Sh.H. – Përgjegjës turni në regjimin e brendshëm.
-Inspektor A.A. – Punonjës i rolit bazë.
-Inspektor D.GJ. – Punonjës i rolit bazë.
-Inspektor A.H., me detyrë punonjës i rolit bazë.
-Inspektor P.K., me detyrë punonjës i rolit bazë.
-Inspektor S.Ç., me detyrë punonjës i rolit bazë.
-Inspektor A.S., me detyrë punonjës i rolit bazë.
Sakaq, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve po verifikon edhe një informacion të referuar, sipas të cilit, pas sherrit, disa makina të blinduara qëndruan jashtë perimetrit të burgut dhe jashtë spitalit.
Ka informacione se në makina gjendeshin mbështetës të Denis Brajovic dhe Jurgen Zotos. Prokuroria po heton për shpërdorim detyre dhe plagosje.










