Me qëllim që fituesi i zgjedhjeve të 25 prillit të dalë brenda një kohë sa më të shkurtër, Komisioni Rregullator ka vendosur që t’u caktojë KZAZ-ve një orar maksimal deri kur mund të shpallin rezultatin e tyre. Kështu në mbledhjen e sotme, me vota unanime, 5-0 është vendosur që KZAZ do duhet të nxjerrin rezultatin para orën 08:00 të së nesërmes së ditës të votimit. Ky erdhi si një propozim i anëtarit Arens Çela, i cili ka gjetur edhe dakordësinë e anëtarëve të tjerë. Edhe për kryetaren, Ilirjana Nano, kjo do të ndihmonte që KZAZ të menaxhojë punën e saj.
“Pas dorëzimit nga KQZ pranë KZAZ të pajisjeve dhe materialeve përkatëse, KZAZ mbyll ambientet ku do të kryhet numërimi. Rezultati do të shpallet të nesërmen e ditës së votimit, pra në orën 08:00. Gjatë natës ambienti vëzhgohet nga kamerat të cilët sigurojnë regjistrimin dhe transmetimin e pamjeve gjatë gjithë kohës në serverin e KQZ-së. KQZ-ja u mundëson subjekteve zgjedhore me kërkesë të tyre të shikojnë nga pajisjet e tyre pamjet e ambientit ku ruhen materialet zgjedhore”, thuhet në propozimin e ri që u miratua në mbledhjen e sotme.
Në zgjedhjet e kaluara, KZAZ ka pasur afat deri në orën 00:00 të ditës së nesërme të votimit për të nxjerrë rezultatet, teksa me vendimin ri është bërë 08:00. Megjithatë, bazuar në historikun e zgjedhjeve në Shqipëri, kjo pikë nuk është respektuar në mënyrë rigoroze nga KZAZ-të, ku ka pasur edhe raste ku numërimi i fletëve të votimit në këto Komisione ka zgjatur me ditë të tëra dhe ky afat i vendosur sot nga Komisioni Rregullator duket ‘mision i pamundur’. Ajo që pritet, është se rezultati i 25 prillit do të votojë më shumë, krahasuar me zgjedhjet e tjera, kjo për shkak të ndryshimit të bërë në Kodin Zgjedhor, ku votuesi do të duhet të zgjedhje jo vetëm partinë, por edhe kandidatin.