Prej një jave tashmë ‘arenën politike’ në vend e ka pushtuar debati dhe ethet e ‘patronazhistëve’. Një ‘skandal’ i ngritur si një ‘furtunë në një gotë uji’ nga opozita, duke përfshirë edhe angazhimin dhe rebelimin e jashtëzakonshëm të Presidentit Ilir Meta, i cili i vuri vetes misionin të shpartallonte ‘ushtrinë patronazhiste’ të PS-së.

Por Report Tv, përmes një liste të siguruar ekskluzivisht, vërteton atë që ishte paralajmëruar edhe nga mazhoranca, por edhe nga të tjerë figura të rëndësishme politike, edhe partitë e tjera opozitare kanë të njëjtën sistem si punë të përditshme të tyre.

E gjithë kjo histori vërtetohet se është një hipokrizi e nivelit më të lartë në radhët opozitës si ‘e rebeluar dhe revoltuar’ nga ‘përdorimi i tmerrshëm dhe skandaloz sipas saj i të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë’ siç pretendonin ata.

Në të vërtetë e njëjta database, me të njëjtat të dhëna konfidenciale, me numra telefoni, karta ID dhe nga një patronazhist për secilin përdoret prej vitesh edhe nga Partia Demokratike.

Për të provuar vërtetshmërinë e dokumentit të mëposhtëm, në mënyrë të rastësishme kemi zgjedhur 2 prej patronazhistëve të Partisë Demokratike, Jurgen Baçi dhe Besnik Çobaj, të cilët edhe përmes një kërkimi të thjeshtë në Facebook rezultojnë se bëjnë hapur fushatë elektorale për PD-në dhe Lulzim Basha.

Kujtojmë se paraditen e sotme konfirmimin e kësaj prapaskene që e njohin të gjithë e ka pranuar publikisht edhe gazetari i njohur investigativ Elvis Fundo. Ai shkruan se vetë e ka përdorur këtë database kur ishte pranë Partisë Demokratike.

Tani pas publikimit të këtij dokumenti më shumë sesa reagime të forcave politike, të cilat sigurisht do të futen në debatin e zakonshëm politik, me shumë interes pritet se çdo të bëjë Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili ditët e fundit i dha vetës misionin e demaskimit të patronazhistëve të Partisë Socialiste. A do të ketë të njëjtin reagim edhe për patronazhistët e Partisë Demokratike?! Një pikëpyetje që vetë Presidenti do të duhet ta sqarojë./Shqiptarja.com