Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ratifikoi marrëveshjen me KfW me vlerë 40 milionë euro për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës, pjesë e kaskadës së Drinit.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja u shpreh se investimi parashikon remontin e dy turbinave në HEC-n e Fierzës, çka do të rrisë edhe eficiencën e HEC-t.
Bejtja tha se turbinat janë montuar rreth 38 vite më parë dhe se edhe nëse nuk kanë defekte duhet të futen në remont.
Ai informoi se më tej programi do të vijojë me rehabilitimin e turbinave edhe në hidrocentralin e Vaut të Dejës.
“Investimi për rehabilitimin e të gjithë HEC-eve mbi kaskadë llogaritet 150 milionë euro. Përveç turbinave po investohet edhe në portat e HEC-eve, kanale dhe mbrojtjen e tyre”, tha Bejtja.