Ka arritur sot kontingjenti prej 38,400 dozash të vaksinës kundër COVID-19. Në aeroportin “Adem Jashari”, kontingjentin e ri në kuadër të Aleancës COVAX e pranuan Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësues Special i BE-së, Tomas Szunyog, ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, drejtori i UNICEF-it, Murat Sahin dhe drejtoresha e Misionit të USAID në Kosovë, Lisa Magno.
Që nga mbërritja e 24,000 dozave të para të vaksinës kundër COVID19 në mars 2021, Ministria e Shëndetësisë zbatoi Planin Kombëtar të Vaksinimit, ku punonjësve shëndetësor dhe të moshuarve u dha përparësi si grupet e para për tu vaksinuar”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Kurti i falënderoi shtetet e QUINT-it dhe organizatat e tjera për ndihmën e vazhdueshme në ballafaqimin e Kosovës me pandeminë COVID-19. Përfaqësuesit diplomatikë dhe ata të organizatave ndërkombëtare në Kosovë premtuan se do të vazhdojnë të ndihmojnë Republikën e Kosovës në këtë përpjekje të përbashkët.
Me kontingjentin e pranuar sot numri total i vaksinave të siguruara nëpërmjet Aleancës COVAX arrin në 62,400. Ndërkohë, Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në sigurimin e sa më shumë vaksinave nëpërmjet sa më shumë kanaleve deri në përmbushjen e synimit që brenda viti të imunizohen 60% të popullatës.