Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga bajpasi i Fierit dhe vlerësoi rëndësinë e ndërtimit të tij për të gjithë ata që zgjedhin të vizitojnë jugun e vendit. “Një fundjavë të bukur për ata që zgjedhin Vlorën e tutje, me një aks të ri panoramik si bajpasi i Fierit që e ka sjell detin më pranë”, tha Rama. Bajpasi i Fierit u hap në mesin e muajit qershor të vitit që shkoi dhe është një segment mjaft i rëndësishëm që mundëson aksesin e jugut të vendit në një kohë më të shpejtë.
Ky bajpas me një gjatësi prej 22 kilometrash plotëson të gjitha kushtet e sigurisë rrugore për të gjithë drejtuesit e automjeteve. Është një bajpas i kategorisë B, ekstra urban, i cili ka një limit shpejtësie 120 kilometra.
Ndërkohë puna po vijon me ritme të shpejta në bajpasin e Vlorës. Përgjatë segmentit të bajpasit të Fierit janë ndërtuar tri ura: ajo e Semanit, e Hoxharës dhe e Pojanit me gjatësi 80 m secila. Gjithashtu janë ndërtuar 4 kryqëzime me dy nivele, dy gjysmëkryqëzime, 7 mbikalime si dhe 21 nënkalime. Nga përllogaritjet rezulton se kursimi i kohës për përdoruesit e rrugës në periudha normale lëvizjeje është 35 minuta.