Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani inspektuan punimet që po kryhen për ndërtimin e depos së re të ujit, e cila do të furnizojë me ujë qytetin e Belshit.
Në fjalën e tij Balla tha se ndihet krenar që po përmbushet angazhimi për furnizimin me ujë të pijshëm i qytetit të Belshit dhe zonave përreth.
“Unë jam shumë krenar që në një kohë kaq të shkurtër ne po arrijmë të përmbyllim një prej problematikave më të mëdha shumëvjeçare të Belshit, që ka qenë ndërtimi i një rrjeti të plotë ujësjellësi me sdandarde. Kjo pikë këtu do të shpërndajë ujë në të 35 fshatrave të Belshit. Depoja e shpërndarjes është ndërtuar në pikën më të lartë të zonës dhe në këtë mënyrë shpërndarja e ujit do të jetë me rrjedhje të lirë dhe në këtë mënyrë ul edhe kostot.
Mandati i ri që do të fillojmë është një mandate ku ndër objektivat kryesor ka furnizimin 24 orë me ujë të qytetarëve të gjithë vendit”, u shpreh Balla.
Ndërsa kryebashkiaku Tafani në fjalën e tij tha se me vendosjen në punë të depos së re të shpërndarjes së ujit, e cila do të vendoset në funksion brenda verës do të bëhet i mundur ëndrra e madhe të Belshit që të furnizohet me ujë 24 orë dhe me cilësi të lartë.