Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se vendim i Departamentit Amerikan të Shtetit për të shpallur ish-kryeministrin Sali Berisha ‘non grata’ duhet të shërbejë si shembull për të gjithë ata që duan të pengojnë çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla nuk preferoi të komentonte shumë, duke thënë se vendimi i DASH “është aq i bukur sa nuk ka nevojë t’i bëjmë komente”. Ai i bëri thirrje drejtësisë që të bëjë punën e vet tashmë, pa asnjë ndërhyrje politike.
“Çdo politikan që është munduar ta pengojë çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi, besoj se rasti i djeshëm i ish-kryeministrit Sali Berisha është një shembull për t’u marrë në konsideratë. Atë vendim të sekretarit të SHBA le ta lëmë aq të bukur saç është dhe të mos hymë në asnjë lloj komenti dhe secili ta lexojë siç është vendimi dhe unë mendoj që ne duhet të kuptojmë që SHBA kanë zgjedhur këto lloj instrumentesh për t’i dhënë mesazhe vendeve përkatëse, demokracive përkatëse. Nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri, edhe në Rumani kryeparlamentari i Rumanisë u bë pjesë e kësaj liste të zezë të SHBA. Drejtësia duhet të bëjë detyrën e vet sepse janë çështje që i takojnë drejtësisë dhe shpresoj që të bëjë punën e vet pa asnjë ndërhyrje politike, në paanshmërinë e vet”, tha ai.
Balla tha me bindje se Reforma në Drejtësi do të shkojë përpara dhe se partitë politike duhet ta kuptojnë se kjo është e vetmja rrugë për anëtarësimin e vendit në BE.
“Muret janë dëshmitarë të atyre që zotoheshin që nuk do e votonin Reformën në Drejtësi, Edhe pse janë të shumët ata që mendojnë se Reforma në Drejtësi po ecën ngadalë, unë nuk jam dakord. Një reformë kaq e thellë kërkon kohën e vet, po tashmë institucionet janë ngritur. Apeli im ndaj KLD dhe KLGJ është që të përshpejtohet puna për plotësimin e vakancave në GJL dhe GJK. E domosdoshme të kemi Gjykatë Kushtetuese me 9 anëtarë. Nuk duhet të harrojmë që procesi i vetingut po ecën mirë dhe duhet të shkojë deri në fund. Procesi i vetingut tregoi se sa e thellë dhe i pisët paska qenë sistemi ynë i drejtësisë në këto vite, po t’i referohemi numri t ët lartë të prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk janë pjesë e sistemit. Themeli i Reformës në drejtësi nuk ishte vetëm ngritja e një strukture të re, sepse hoqëm çdo lloj kontrolli mbi Emërimet në Drejtësi, por edhe procesi i vetingut. Çuarja përpara e Reformës në Drejtësi është një gjë pa kompromis. Ne duhet të vazhdojmë ta mbështesim çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi dhe partitë politike duhet ta kuptojnë se kjo është rruga e vetme e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, u shpreh ai.