Shefi i Urgjencës Skënder Brataj përmes rrjeteve sociale ka komentuar në mënyrë entuziaste gjetjet e një studimi italian mbi të moshuarit që kanë përfunduar ciklin e vaksinimit kundër koronavirusit.

Rajoni i Lacios prezantoi një studim shkencor mbi efektet e fushatës së vaksinimit në grupmoshën mbi 80 vjeç. Gjatë studimit në grupin e personave mbi 80 vjeç me një cikël të plotë vaksinimi u vunë re midis shkurtit dhe mesit të prillit vetëm 27 shtrime në spital për Covid-19, krahasuar kjo me një grup kontrolli prej 290 persona mbi 80 vjeçar të pavaksinuar. Vihet re ulja e incidencës së shtrimit në spital për Covid-19, me mbi 91%.

Duke shtjelluar në detaj gjetjet e studimit, mjeku i njohur vlerësoi studimin që sipas tij tregon se “ monitorimi i vazhdueshëm i grupit të vaksinuar do të na lejojë të vlerësojmë efektivitetin afatgjatë të vaksinimit në drejtim të zvogëlimit të vdekshmërisë, si dhe kohëzgjatjen e mbrojtjes që i atribuohet vaksinimit. Vaksinimi është hapi i fundit i mbylljes së kësaj pandemie, sidomos për gjyshërit dhe prindërit tanë. Vaksinimi i gjithë popullatës është garancia më e mirë!”