Deputeti i zgjedhur i PS-së Benet Beci deklaroi sot se është hapur procesi i tenderimit për projektet e përmirësimin e peizazhit përgjatë rrugës nga Ura e Bunës në Shirokë, muzeu i liqenit dhe qendra e vizitorëve në qendër të Shirokës, shtegu i biçikletave dhe pikat panoramike në malin e Taraboshit.
Beci ka publikuar edhe pamje nga projekti mbi ndërhyrjet transformuese të parashikuara përgjatë bregut të liqenit të Shkodrës. “Çdo gjë duket e bukur, por kënaqësia më e madhe është kur nis puna konkrete. Ndaj dua të ndaj me ju lajmin e mirë se është hapur procesi i tenderimit për projektet si më poshtë: Ndërhyrjet në përmirësimin e peizazhit përgjatë rrugës nga Ura e Bunës në Shirokë. Muzeu i liqenit dhe qendra e vizitorëve në qendër të Shirokës. Shtegu i biçikletave dhe pikat panoramike në malin e Taraboshit”, deklaron ai.
“Kemi kontribuar që në konceptimin e këtij projekti pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe kam privilegjin e përgjegjësinë të ndihmoj në realizimin e tyre si deputet i Shkodrës. Ofertat nga kompanitë e interesuara hapen në datën 2 korrik dhe besoj se në vjeshtë fillojmë punimet. Projektet financohen nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet një kredie nga BERZH-i dhe bashkëfinancim nga BE-ja dhe do të zbatohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Besoj fort se po fillojmë një seri projektesh që do ta vënë Shkodrën në zemër të turizmit shqiptar. Na shkoftë mbarë”, tha ai.