Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth ndërsa u ndal te çështja e Liberalizimit të vizave për Kosovën, tha se BE duhet të mbajë premtimet e veta dhe se kjo do të duhej të ishte bërë prej kohësh, pasi kushtet janë përmbushur.
“BE duhet të mbajë premtimet e veta dhe këtë e them si autokritikë. Liberalizimi i vizave me Kosovën duhet të ishte bërë prej kohësh. Kjo sepse kushtet janë përmbushur. Edhe në këtë rast është e njëjta logjikë. Unë nuk mund të ndryshoj traktatet e BE-së, Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi konsensusin dhe unë nuk mund të ankohem në këtë drejtim”, tha ai.
Më i ashpër ishte Rama në reagimin e tij, duke e konsideruar “të turpshëm” faktin që BE nuk ka liberalizuar ende vizat me Kosovë. Sipas Ramës, BE e ka marrë peng Kosovën “në një lojë shahu”.
“BE e ka marrë peng Kosovë, në një lojë shahu, ku një nga figurat ka vendosur që atë ushtar ta mbajë peng dhe qytetarët në Kosovë të mos lëvizin lirisht. E turpshëm, po nuk ke ça i bën”, u shpreh Rama.