Nga Aranit Muraçi

Pasi siguroi mandatin e tretë, ‘me Opozitë do të nënkuptohet vetëm Partia Demokratike’, tha kryeministri, Edi Rama. Me kundërshtar politik ka kohë që nga PD-ja nënkuptohet vetëm Partia Socialiste. Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit, dy partitë e mëdha duket se e realizuan objektivin e tyre, duke asgjësuar thuajse plotësisht partitë e vogla.

Mbetet për t’u parë, a do të qeverisin ato më tej të ndara apo do të bashkohen, siç edhe mbetet në fuqi oferta zyrtare e kryeministrit Rama, disa muaj para se të ndahen postet në Shtator.

Interesante është oferta e Ramës, për bashkëpunim, duke e quajtur atë “pa asnjë kufi”, pra e thënë ndryshe, ‘kërko çfarë të duash!’

PD-ja jo rastësisht bëri shumë kujdes duke mbajtur gjatë gjithë fushatës distancë me LSI-në, madje po tregon të njëjtin “kujdes” duke heshtur aktualisht rreth nismës së mazhorancës për shkarkimin e Presidentit.

Përveç postit të presidentit, me siguri edhe atë të kreut të Kuvendit, përveç mbajtjes së zgjedhjeve lokale në vjeshtë, çfarë “dhuratash” të tjera është gati të bëjë Rama, për të mundësuar bashkëpunimin “pa kufi” të rivalit historik, me qëllim për të zbutur klimën politike, si asnjëherë më parë në këto 30 vite.

Si fakt, kujtojmë se tre kryebashkiakë (Shkodër, Durrës dhe Rrogozhinë) ushtrojnë sot detyrën, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën. Askush nuk flet dhe as shqetësohet!

Deri në shtator, Lulzim Basha, do të konfirmohet në drejtimin e Partisë Demokratike. Shqipëria mbase çel negociatat deri në qershor. Pushimet janë të gjata dhe do të ketë kohë të mjaftueshme gjatë dy muajve të fundit të verës, pasi palët të jenë qetësuar nga kjo periudhë e gjatë dhe stresuese pandemie, për të arritur ‘marrëveshjen pa kufi’ PS-PD.

Për ta bindur, kryetarit të PD-së i është thënë: Eja dhe qeveris me ne më mirë, sepse, ndryshe vetëm nuk do të qeverisësh dot kurrë! Siç e sheh, ke hasur dhe po has vështirësi për të drejtuar PD-në! Mendo pak sikur të drejtosh i vetëm Shqipërinë!

Nëse beson se do t’ia dalësh një ditë; ne edhe në opozitë kemi treguar se dimë ta mbajmë pushtetin fort, por prapë, edhe në këtë rast nevojën tonë do të kesh për të realizuar reforma të rëndësishme, apo për të arritur atë që kërkon!

E do marrëveshjen me garanci ndërkombëtare! Hiq dorë, nëse nuk ke hequr deri tani nga kritikat për Reformën në Drejtësi, dhe je i mirëpritur prej tyre!

Prandaj bjeri shkurt dhe pranoje ofertën! Përpjekjet e kota janë humbje kohe. Propozo gjithçka, çfarë do; për momentin vetëm posti i kryeministrit është i zënë!

Nëse Basha do të refuzojë bashkëpunimin, Rama me shumë mundësi, do të faktorizojë zërat kundër tij, brenda PD-së dhe opozitës.

Shihemi për publikun me surpriza në shtator!