Ministria e Shëndetësisë raportoi sot për të dytën ditë radhazi se nuk ka asnjë humbje jete, teksa flitet për 20 raste të reja me COVID-19. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale iu bën apel qytetarëve të vijojnë të zbatojnë me përpikmëri rregullat për parandalimin e COVID19: Vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient të mbyllur dhe kudo ku nuk mund të ruhet distancimi fizik, kujdesuni për higjenën vetjake dhe vetëizolohuni kur dyshoni se jeni të prekur nga COVID19. Situata e COVID19 në 24 orët e fundit është si vijon:
Aktualisht në spitalet COVID po trajtohen 43 pacientë, nga të cilët 5 pacientë janë në terapi intensive. Në 24 orët e fundit nuk ka asnjë humbje jete me Sars-Cov2 pozitiv. Janë kryer 3,137 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 20 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 8 raste në Tiranë, 5 raste në Korçë, 2 raste në Fier, 1 rast në Shkodër, Devoll, Mirditë, Prrenjas, Skrapar. Në 24 orët e fundit janë shëruar 64 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 129,042 që nga fillimi i epidemisë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes, për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në numri 127 të Urgjencës Kombëtare për çdo emergjencë apo referim në spital.