Rreth tridhjetë shtetas evropianë, mes tyre edhe disa shtetas italianë janë ndaluar dhe mbajtur në qendrat e imigracionit deri në shtatë ditë pas përpjekjes së tyre për të hyrë dhe punuar pa leje pune në Mbretërinë e Bashkuar. Shenjë kjo e asaj që mund të ndodhë në epokën pas BREXIT, pasi tanimë qytetarët e BE-së njëjtë si nga vendet e tjera do të duhet të kenë vizë për të hyrë në territorin britanik dhe më pas të kërkojnë ose të fillojnë një punë në Londër ose në një qytet tjetër.

Dikur, kur Mbretëria e Bashkuar ishte pjesë e Bashkimit Evropian, kjo mund të bëhej pa ndonjë problem falë lëvizjes së lirë të qytetarëve. Nëse përpara 1 janarit 2021 të gjithë qytetarët mund të hynin pa problem në territorin e Mbretërisë së Bashkuar dhe më pas të kërkonin punë, sot është e kundërta, fillimisht duhet të gjejnë një punë, të aplikojnë për vizë pune dhe pas sigurimit të saj ata do të jenë në gjendje të udhëtojnë.

Ky hap përbën një ndryshim rrënjësor me të cilin qytetarët duket se do t’u marrë disa kohë të mësohen. Siç raporton Politico, ka dhjetëra shtetas evropianë, veçanërisht të rinj, të cilët që kur rregullat e reja hynë në fuqi në 1 janar, janë ndaluar në kufirin britanik sepse ata donin të punonin pa marrë një vizë të përshtatshme dhe më pas disa prej tyre janë transferuar edhe në qendrat e imigracionit dhe azilit politik. Këtu ata mbahen deri në shtatë ditë, shpesh pa celular ose mjete të tjera për të kontaktuar me jashtë. Disa, të tillë si 26-vjeçari grek Sotiris Konstantakos, tregojnë edhe për kushte tejet të vështira në kufi, me temperatura të ulëta dhe pamundësi për të dalë kur ata dëshironin.

Për disa diplomatë evropianë, raporton Politico, ky është një reagim “joproporcional” nga ana e autoriteteve kufitare britanike. Sidoqoftë, ata theksojnë se ata po respektojnë rregullat e reja dhe theksuan se shpesh ndalimi i emigrantëve të parregullt në këto qendra zgjatet për shkak të numrit të kufizuar të fluturimeve për në vendin e tyre të origjinës për shkak të Covid-19.

Lajmi është goditje për të gjithë ata turistë dhe shtetas evropianë që shkonin në Mbretërinë e Bashkuar, për të vizituar vendin apo për të punuar. Sidoqoftë ishte diçka e pritshme dhe e paralajmëruar në të kaluarën, pasi tani për të hyrë dhe punuar në Mbretërinë e Bashkuar duhet të kalosh paraprakisht të ashtuquajturin “sistem pikësh” të stilit Australian . Kjo pasi, pas Brexit, qytetarët evropianë , trajtohen si të gjithë të huajt e tjerë.