Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë një takimi me Emir Djikic, Drejtorin e Sekretariatit të CEFTA-s, Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë në Evropën Juglindore, diskutoi gjerësisht mbi të ardhmen e zhvillimit ekonomik të rajonit.

“Angazhimi i Shqipërisë në nismat e lehtësimit të tregtisë në rajon dhe njohjen e ndërsjellët të profesioneve, vijon të mbetet maksimal”- u shpreh Denaj. Sipas saj, suksesi i krijimit të korridoreve të gjelbërta në doganë për produktet e domosdoshme përgjatë pandemisë, është një nga shembujt e mirë të punës së përbashkët.

“Tregu i Përbashkët Rajonal është përpjekja jonë e radhës për t’i ofruar qytetarëve, përfitimet e integrimit në familjen europiane”- deklaroi ministrja. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA) u nënshkrua në Bukuresht më 19 dhjetor 2006 dhe filloi të zbatohet gjatë vitit 2007. Vendet që e zbatojnë ndërmjet tyre këtë marrëveshje janë Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Moldavia. Me fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje u liberalizuan plotësisht vetëm pas vitit 2014 kur të gjitha vendet pjesëmarrëse zbatuan Protokollin II shtesë të kësaj marrëveshjeje. Sipas statistikave, eksportet shqiptare me vendet e CEFTA-s shënuan rritje me 14% në vitin e fundit, ndërsa rritje me 4% shënuan edhe importet drejt vendit tonë.