Nga Dr. Ndue Bardhi/

Zgjedhjet kanë përfunduar, tash partitë kryesore duhet të tregojnë pjekuri dhe të kenë vullnet për të rishikuar planin strategjik te veprimit te mëtejmë politik. Në këtë sens opozita duhet të gjejë kurajo që të përballojë humbjen dhe të rishikojë shkaqet e dështimit të radhës, ndërkaq maxhoranca e rikonfirmuar duhet të përmbushë pritshmëritë e sovranit i cili i dha mandatin historik ( tri mandate qeverisëse).

Gjithsesi, këto dy cështje duhen analizuar me kalimin e kohës, por ajo që është e rëndësishme dhe kërkon gjykim të ftohtë ka të bëjë me situatën para dhe pas zgjedhore. Nga ky aspekt lajmi kryesor është: dështimi i PD-së që nuk arriti të përmbushë objektivin si subjekt politik dhe nga ana tjetër është fitorja bindëse e PS-së ku Rama ka përmbysur të gjitha parashikimet e kritikëve të tij duke u rikonfirmuar si kryeministrit për të tretën herë radhazi.

Në këto kushte ,pyetja që shtrohet është : përse humbi opozita dhe cilat ishin shkaqet?! Shkaqet e dështimit janë të shumta për rrjedhoje analiza duhet të nisë te situata parazgjedhore duke u ndalur te dita e zgjedhjeve dhe më pas duke konkluduar atmosferën pas zgjedhore.

Sic thotë një fjalë e urtë popullore, siç e nisën e bitisën, çka do të thotë se PD dhe LSI filluan dhe mbaruan me histori dështimi. Mjafton të kthehemi pas në kohë dhe aty e gjen shkakun kryesor: braktisja e parlamentit dhe më vonë ajo e zdhjedhjeve lokale ishin veprime të paprecedenta dhe idioteske. Ashtu si shumica, kam patur bindjen e thellë se qysh aty nisi tatëpjeta e veprimit opozitar për të qenë sfiduese reale e zgjedhjeve.

Një tjetër shkak tejet i rëndësishëm dhe që pati kosto të madhe në këto zgjedhje ishte bindja kolektive e shqiptarëve se opozitën e drejton dhe e menaxhon dyshja Berisha- Meta. Nuk ishte rastësi që mbi këtë logjike kryeministri Edi Rama e orientoj debatin publik dhe drejtimin e fushatës.

Nëse hyjmë në detaje një tjetër element i rëndësishëm i humbjes së opozitës ishte dhe mbetet mungesa e besimit të lidershipi i saj i cili nuk ngjalli as frymë dhe as besim. Për më tepër Basha dhe Monika nuk e patën të lehtë përballë një kryeministri dhe një qeverie të cilët duam apo jo përballuan me sukses dy momente kulmore siç ishte pandemia dhe tërmeti.

Për t’i vënë vulën humbjes së radhës mjafton të kthejmë shiritin prapa dhe aty del të pah, fjalori lajthitës dhe hyrja në fushëbetejë e Presidentit të Republikës i cili e hodhi opozitën në gropën e destruktivitetit. Pra, përgjithësisht këto janë disa nga shkaqet e humbjes dhe dështimit të radhës së opozitës… Tashmë është në dorën e anetarësisë së PD-së dhe në drejtuesve të saj për të rishikuar dhe berë një katarsis brenda skuadrës së tyre ku në opinionin tim timonieri i deritanishëm duhet t’i dorëzojë çelsat dikujt tjetër. Gjithsesi kjo është cështje e brendëshme e tyre, por ajo që mund të them është se me Bashën jetëgjatësia e Ramës në pushtet nuk do të njohë limite.

***

Aktualisht me shumë sesa fati i lidershipit të PD-së është së cfarë përfituan shqiptarët dhe Shqipëria nga këto zgjedhje. Pikësëpari mendoj se këto zgjedhje patën një risi: ishin të paqta te qeta duke u respektuar vullneti i qytetarëve. Më së miri këtë e konfirmon faktori ndërkombëtar, kryesisht SHBA dhe BE, të cilët në mënyrë të “rrufeshme” legjitimuan procesin zgjedhor duke uruar Ramën për mandatin e radhës dhe Bashën për impenjimin e në proces.

Një tjetër element po aq i rëndësishëm ka të bëjë me faktin se për herë të parë Shqipëria u zgjua më 27 prill si një vend që ka lënë prapa krahëve kaosin e procesit të numërimit dhe të kontestimeve.

Pra, Shqipëria në sytë e aktorëve ndërkombëtare gradualisht po del nga qerfulli i tranzicionit dhe po shtron udhën e e përmbushjes së kritereve për të qenë shtet dinjitoz dhe me demokraci të qëndrueshme. Në vijë të këtyre konstatimeve shoh edhe qëndrimet e kryeministrit Rama i cili në cdo dalje publike para dhe pas zgjedhjeve ofron bashkëpunim me opozitën.

Pra, Rama përveç të qënit kryeministër kërkon të hapë një kapitull të ri bashkëpunimi me opozitën. Ai kapet fort pas ofertës për bashkëpunim mes maxhorancës dhe opozitës për gjera madhore. Këto elemente kanë të bëjnë kryesisht me hedhjen pas krahëve të politikave konfliktuale dhe nga ana tjetër me unifikimin politik që ka të bëjë më cështje te rëndësishme për vendin dhe kombin.

Sinjalet e kryeministrit janë shprësëdhënëse! Tash duhet të presim a do ta kapërdijë opozita humbjen? A do të zgjidhe konfliktin e brendëshëm që tashmë e ka shpërthyer dhe më kryesoja a do të gjejë forcë lidershipi i PD-së të ndahet njëherë e mirë nga lideri de fakto?!.

Duke u nisur nga këto dilema, sado oferta e kryeministrit mund të jetë e sinqertë, idetë mbeten në kuadrin teorik për sa kohë që PD-ja nuk zgjidh cështjet e brendëshme dhe nuk hedhin hapin e madh të bashkëpunimit. Cdo projekt për t’u implementuar në praktike kërkon dy palë: Rama thotë jam i gatshëm, tash mbetet të shohim cdo të bëjë opozita?!

Në pritje të zhvillimeve dhe në vend të konkluzioneve duhet theksuar me forcë: tash nuk kemi asnjë çast kohë për të humbur. Shqipëria dhe kombi shqiptar meriton të jetë pararoje e rajonit si në aspektin e funksionimit të shtetit po ashtu edhe në unifikimin e kombit.

Autori është Dr Shkencave Mjekësore dhe President i Shoqatës Oftalmologjike Shqiptare ( SHOSH)