Agjencia Europiane e Barnave (EMA) dëshiron të lëshojë një vendim jo më vonë se këtë muaj nëse fëmijët e moshës 12 vjeç e lart duhet të vaksinohen me vaksinën antiCOVID-19 të BioNTech/Pfizer.

Agjencia e BE-së njoftoi sot se procesi mund të përshpejtohet për shkak të përparimit në fazën e vlerësimit dhe mund të përfundojë deri në fund të muajit.

“Agjencia po merr të dhëna për efektin e vaksinës te moshat 12 deri në 15 vjeç”, tha kreu i EMA-s, Emer Cooke për gazetën “Handelsblatt”.

“Ne filluam testimin më 30 prill”, shtoi ajo.

Cooke përmendi qershorin si objektiv për miratim, por vuri në dukje se EMA po përpiqet të shohë nëse mund ta përshpejtojë atë, duke synuar fundin e majit.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së (FDA) të hënën zgjeroi autorizimin e përdorimit urgjent për përdorimin e vaksinës BioNTech/Pfizer për të përfshirë fëmijët dhe adoleshentët e moshës 12 deri në 15 vjeç.