Katër vite më parë Republika Federative e Gjermanisë qe eliminuar në kualifikime, pas një barazimi me Shqipërinë, dhe që atëherë pat vendosur që të shkelte gjithçka para vetes. Pas titullit kampion më 1972 dhe atij nënkampion më 1976 gjermanët më 1980 po udhëtonin si favoritë ne Itali, në Kampionatin e gjashtë Evropian.
Në Itali ata arrijnë suksesin e dytë duke mundur në finale surprizën e Belgjikës. Edhe pse e lehtë dhe me yje si Rummenigge dhe Hrubesch, gjermano-perëndimorët hasin disa vështirësi në 90 minutat e fundit, duke siguruar golin që do t’u dhuronte këtë trofe vetëm dy minuta nga fundi i takimit.
Është me të vërtetë e çuditshme sesi UEFA vendosi që fazën përmbyllëse të Euro 80-ës t’ia besonte pas 12 vjetësh përsëri Italisë, kur kishte edhe pretendues të fortë që nuk e kishin pasur këtë mundësi si RF Gjermane, Anglia, Holanda, Zvicra.
Ekipet Pjesëmarrëse
Italia organizatore e kishte siguruar vendin e saj në fazën finale si rrjedhojë e rregullit të ri të vendosur nga UEFA, ndërkohë që 31 përfaqësueset e tjera u ndanë në 7 grupe, nga të cilat vetëm vendet e para do të vazhdonin më tutje. Surpriza e madhe erdhi nga Bashkimi Sovjetik i cili, ndryshe nga edicionet e tjera ku ishte protagoniste absolute, nuk arriti të kualifikohej duke iu nënshtruar Greqisë në Grupin 6. Ndërkohë, në grupet e tjera u kualifikuan Anglia, Belgjika, Spanja, Holanda, Çekosllovakia dhe pa dyshim Gjermaninë Perëndimore.
Të teta këto ekipe, ndryshe nga edicionet e mëparshme, u ndanë sërish në dy grupe, nga të cilat Gjermania nuk e diskutoi kualifikimin, ndërsa Italia ngeci për t’i ofruar vendit që ishte tronditur nga skandali i basteve një finale të madhe dhe vendin e saj e zuri Belgjika. Por, sikur të mos mjaftonte, të kaltrit e drejtuar nga Enzo Bearzot nuk ia dalin të renditen as në vendin e fundit të podiumit, pasi në finalen për vendin e tretë munden 9-8 me penallti nga Çekosllovakia, pas barazimit 1-1 të kohës së rregullt.
Ndërkohë në finalen mes gjermano-perëndimorëve dhe belgëve, trajneri Jupp Derwall kishte zbuluar një bomber të ri dhe të pagabueshëm me kokë, Horst Hrubesch, i cili në minutën e 88-të dërgon në rrjetë një krosim të Rummenigge të ardhur nga këndi. Gjermania, edhe pse kishte kaluar shumë shpejt në avantazh (në minutën e 10- të), sërish me Hrubesh, 15 minuta nga fundi shkaktojnë një 11-metërsh, që mesfushori René Vandereycken e transformon në gol. Por Beckenbauer me shokë janë shumë herë më të fortë sesa kundërshtarët e tyre ndaj, dy minuta nga fundi, ata arrijnë të gjejnë edhe golin e fitores, i cili i gëzon dyfish, duke menduar që festa e dytë bëhet në Itali.
Skandali i Italisë
Në prag të kësaj veprimtarie në Itali plasi një skandal i madh në të cilin u përfshi futbollisti në zë, Paolo Rosi, tek i cili italianët kishin besim të madh. Skandali kishte të bënte me trukimin e ndeshjeve të kampionatit italian ndaj dhe Federata Italiane e futbollit iu përvesh masave shumë të rënda.
Skuadra të rëndësishme të Serisë A si Milani, Pescara, Perugia, Juvcntusi, Lazio dhe Genoa rezultuan të përfshirë, por edhe presidentë në rastin e Milanit, duke paracaktuar rezultatet e ndeshjeve. Kjo ishte një goditje e ashpër për Italinë, e cila kishte marrë përsipër edhe organizimin e Europianit të këtij viti. I pari që u godit ishte “Milani”, që u degdis në kategorinë e dytë. Nuk shpëtoi as Paolo Rosi… Ndeshja e ‘’turpit’’ u cilësua “Perugia”-“Avelino” , të cilin të dy klubet kishin vendosur ta mbyllnin 2-2. Kushti ishte që Rosi t’i jepej mundësia të shënonte dy gola. Dhe kështu ndodhi…Rosi shënoi, por dhe e … pësoi. Vite më pas ai pohonte: “Asokohe isha futbollisti më i famshëm në Itali dhe Federata vendosi të më digjte mua duke më bërë shembull”.
Rosi u dënua që për tre vjet të mos luante futboll, mirëpo dënimi iu ul në dy vjet në mënyrë që të merrte pjesë në Botërorin Spanjë ‘82, ku më 6 golat e shënuar, pas 42 vjetësh, ndër të cilët një dhe në ndeshjen finale kundër gjermano-perëndimorëve, (3-1), i dhuroi Italisë titullin kampion.
18 futbollistë të Serisë A u dënuan në vitin 1980 për përfshirjen në skandalin e trukimit të ndeshjeve: Enrico Albertosi (Milan), Massimo Cacciatori (Lazio), Giuseppe Wilson (Lazio),Stefano Pellegrini (Avellino), Mauro Della Martira (Perugia), Carlo Petrini (Bologna), Giuseppe Savoldi (Bologna), Paolo Rossi (Perugia),Luciano Zecchini (Perugia), Bruno Giordano (Lazio), Lionello Manfredonia (Lazio), Franco Cordova (Avellino), Piergiorgio Negrisolo (Pescara), Giorgio Morini (Milan), Stefano Chiodi (Milan), Oscar Damiani (Napoli), Maurizio Montesi (Lazio), Franco Colomba (Bologna). Ndërkohë Andrea Agostinelli (Napoli), Giancarlo Antognoni (Fiorentina), Claudio Pellegrini (Avellino) u shpallën të pafajshëm nga Apeli.
Skandali i basteve e kishte goditur rëndë edhe opinion publik italian. Stadiumi Olimpik Romës, me kapacitet 86.500 tifozë , “Meazza” i Milanos, me 85.7000, “San Paolo” i Napolit, me 72.000 dhe “Comunale” i Torinos, me 50.000 mijë shikues, qenë thuajse gjysmë të boshatisura.
Edhe pse kishte kuptuar skandalin dhe padrejtësitë e shumta që kishin ndodhur në futbollin italian, UEFA nuk e braktisi ltalinë por e pranoi në garën për të organizuar Europianin. Në garë për këtë eveniment ishin 6 shtete. Italia, Anglia, Gjermania Perëndimore, Vendet e Ulëta, Zvicra dhe Greqia. Por në fund organi më i lartë i futbollit të kontinenti të vjetër zgjodhi gadishullin Apenin, edhe si një formë mbështetjeje.
Ndeshjet
Kjo ishte hera e parë që në një Evropian nuk luhen çerekfinalet me eliminim direkt dhe gjysmë-finalet, sepse 7 skuadrat e kualifikuara nga 7 grupet u ndanë sërish në dy grupe të tjera, nga të cilat dy të parat do ishin finalistet, ndërsa dy vendet e dyta do të luanin për vendin e tretë dhe të katërt. Kjo metodë nuk u pëlqeu disa federatave, edhe pse nuk mund të kundërshtonin asgjë. Italia nuk mori pjesë në grupet eliminatore si vend organizator (edhe kjo, një risi e këtij viti) dhe iu bashkua kompeticionit vetëm në fazën finale, e vendosur në Grupin B me Belgjikën, Anglinë dhe Spanjën.
GRUPI A
Skuadra | N. | F | B | H | P |
Gjermani P. | 3 | 2 | 1 | 0 | 5 |
Çekosllovaki | 3 | 1 | 1 | 1 | 3 |
Holandë | 3 | 1 | 1 | 1 | 3 |
Greqi | 3 | 0 | 1 | 2 | 1 |
Çekosllovaki – Gjermani P. 0-1
Holandë – Greqi 1-0
Gjermani P. – Holandë 3-2
Greqi – Çekosllovaki 1-3
Holandë – Çekosllovaki 1-1
Greqi – Gjermani P. 0-0
GRUPI B
Skuadra | N. | F | B | H | P |
Belgjikë | 3 | 1 | 2 | 0 | 4 |
Itali | 3 | 1 | 2 | 0 | 4 |
Angli | 3 | 1 | 1 | 1 | 3 |
Spanjë | 3 | 0 | 1 | 2 | 1 |
Belgjikë – Angli 1-1
Itali – Spanjë 0-0
Belgjikë – Spanjë 2-1
Itali – Angli 1-0
Spanjë – Angli 1-2
Itali – Belgjikë 0-0
FINALJA E VENDIT TË TRETË
Itali – Çekosllovaki 1-1
(Pas 90 minutave, skuadrat iu drejtuan menjëherë goditjeve të penalltive, nga të cilat fituan çekët me rezultatin 9-8).
FINALJA (22 QERSHOR 1980, ROMË)
Gjermani P. – Belgjikë 2-1
TOP 11
Edhe pse ndërroheshin emrat dhe vitet kalonin, Gjermania Perëndimore vazhdonte të prodhonte bomberat e Evropianëve UEFA. Pas atij të vitit 1972, ku Gerd Müller shpërthente dhe vendoste rekorde, dhe pas Dieter Müller në 1976 që bëri një paraqitje fantastike, edhe goleadori i Evropianit 1980 ishte sërish i flamurit gjerman. Klaus Allofs u shpall “Këpuca e Artë” e turneut me tre gola. Që të tre të shënuar në ndeshjen kundër Holandës të fituar në shifrat 3-2.
Karl-Heinze Rummenigge
Viti 1980 ishte edhe ai i “shenjtërimit” të Karl-Heinze Rummenigge si lojtari më i mirë në botë. Gjithsesi, me një Evropian fantastik të zhvilluar në Itali, ylli i Bayernit të Mynihut dhe i Gjermanisë Perëndimore arriti t’i bindë të gjithë dhe të meritojë vlerësimin me “Topin e Artë” duke lënë pas shokun e përfaqësueses, Bernd Schuster. Në fund të kompeticionit, vlerësimet e specialistëve ofruan edhe skuadrën më të mirë, e cila shihte mes saj 6 gjermanë, 4 italianë dhe 1 belg.
PORTIER: Dino Zoff (Itali)
MBROJTËS: Claudio Gentile (Itali)
MBROJTËS: Gaetano Scirea (Itali)
MBROJTËS: Karlheinz Förster (Gjermani Perëndimore)
MBROJTËS: Hans-Peter Briegel (Gjermani Perëndimore)
MESFUSHOR: Marco Tardelli (Itali)
MESFUSHOR: Jan Ceulemans (Belgjikë)
MESFUSHOR: Bernd Schuster (Gjermani Perëndimore)
MESFUSHOR: Hansi Müller (Gjermani Perëndimore)
SULMUES: Karl-Heinze Rummenigge (Gjermani Perëndimore)
SULMUES: Horst Hrubesch (Gjermani Perëndimore)
SI