Grupi italian “Maneskin”, me këngën “Zitti e Buoni”, triumfoi në Eurovision, duke qenë më i votuari në natën finale me 524 pikë.

Vota e publikut vendosi në krye Italinë, ndërsa “Rock n’roll nuk vdes kurrë” ishin fjalët e para të grupit italianë pas shpalljes së fituesit. Pas Italisë u rendit Franca, e cila mori vetëm 25 pikë më pak, ndërsa me 432 pikë në total u rendit në vendin e tretë Zvicra, e cila u përfaqësua nga këngëtari me origjinë shqiptare Gjon Muharremaj. Ai arriti të sigurojë votat e jurisë, duke u renditur i parë, nga vota e 39 shteteve me 267 pikë, por ishte vota e publikut ajo që përcaktoi fituesin, duke e zbritur atë në vendin e tretë.

Ndërkohë, pavarësisht pritshmërive të larta, as Anxhela Peristerit nuk mundi ta ngjiste Shqipërinë në vendet e larta të renditjes. Në fund, këngëtarja që përfaqësoi Shqipërinë me këngën “Karma”, arriti të marrë vetëm 57 pikë, duke u renditur në vendin e 21-të.