Të enjten me datë 27 maj hapet spitali memorial Fier. Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë takimit me mjekët shqiptarë dhe turk që do të shërbejnë në këtë spital.
Kanë qenë vetëm mjekët që janë shprehur të lumtur që do të punojnë në një strukturë të tillë spitalore dhe që do të kenë mundësi të shkëmbejnë eksperiencat me njëri tjetrin.
“Jam Frenki Vila. Jam me profesion kirurg i përgjithshëm, i diplomuar rishtazi në mars të këtij viti. Kam filluar të punoj këtu në spitalin memorial ditën e enjte të javës së kaluar. Me sa kam parë është një spital që i plotëson të gjitha kushtet bashkëkohore krahasuar me gjithë spitalet e Ballkanit dhe vendet e Europës. Dhe jam shumë i lumtur që do të ndaj këtë eksperiencë timen por edhe do të marr eksperiencë nga mjekët e stafit turk”, tha Dr. Vila
“Unë jam Aida Xhika, mjeke anesteziste reanimatore. Mirëpres punën në spitalin e ri memorial të Fierit. Është një bashkëpunim shumë i frytshëm që pritet të jetë me ekipin turk. Është dhe një mundësi shumë e mirë për ne që t’i ofrojmë pjesës së komunitetit të jugut një shërbim sa më cilësor”, tha Dr. Aida.
“Quhem Eneida Bozaxhiu, mjeke interniste. Kam aplikuar për të punuar në këtë strukturë, sepse gjej një mundësi më shumë për t’i shërbyer qytetarëve me një standard më të lartë duke bashkëpunuar dhe me ekipin e mjekëve turq dhe pse jo edhe me ekipe të tjera jo shqipëtare”, tha Dr. Bozaxhiu.
Ndërkohë disa nga mjekët turq me eksperiencë disa vjeçare thanë që jaën të lumtur që ndodhen në Shqipëri që gjithë eksperiencat tona t’i pasojmë tek mjekët shqiptarë për të ofruar shërbime cilësore pacientëve shqiptarë.
“Jam kirurg i përgjithshëm. Vij nga Ankaraja. Kam 25 vjet që punoj si kirurg i përgjithshëm. Kam experiencë me rreth 14 mijë operacione. Kemi ardhur që të gjithë këto eksperienca tona t’i pasojmë edhe mjekëve tuaj të rinj edhe për t’u ofruar shërbime pacientëve shqiptarë”
“Kam rreth 10 vjet si mjek i sëmundjeve interne dhe 5 vjet si mjek endokrinolog. Kam bërë edhe specializime të veçanta në Belgjikë dhe Amerikë. Jemi shumë të lumtur që jemi këtu. Jemi të paduruar për t’i dhënë njohuritë tona mjekëve të rinj”
“Jam mjeke anestezi reanimacion. Jam këtu për të dhënë njohuritë e mia popullit shqiptar, pacientëve dhe stafeve mjekësore.
Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë, do të ofrojë shërbime të nivelit terciar, për të gjithë Rajonin e Jugut. Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital do të aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.
Spitali Memorial Rajonal Fier do të ofrojë shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardio-vaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë, etj.