Gjermania do të miratojë përdorimin e AstraZeneca tek të gjithë të rriturit dhe po synon gjithashtu vaksinimin e adoleshentëve nga mosha 12 deri në 18 vjeç deri në fund të gushtit. Sipas njoftimit të ministrisë së shëndetësisë hendeku aktual 12-javor midis dozave të para dhe të dyta të AstraZeneca mund të shkurtohet.

“Këto masa shërbejnë për të përshpejtuar më tej fushatën tonë të vaksinimit, “ tha Spahn.

Mungesat fillestare të furnizimit dhe pengesat burokratike bënë që Gjermania, e cila ka ekonominë më të madhe të Europës, të fillonte me vonesë fushatën e vaksinimit. Miliona doza të vaksinës AstraZeneca janë administruar në Europë, por fushata e vaksinimit u vonua në shumë vende pas raporteve se vaksina shkaktonte mpiksje gjaku.

Spahn gjithashtu tha se Gjermania synonte të vaksinonte grupmoshat midis 12-18 vjeç, pasi rregullatorët europianë të miratojnë BioNTech-Pfizer. Deri më tani, 30.6 përqind e popullsisë gjermane prej rreth 83 milion ka marrë dozën e parë të një vaksine dhe 8.6 përqind janë plotësisht të vaksinuar.

Gjermania do të lehtësojë kufizimet këtë fundjavë për njerëzit që janë plotësisht të vaksinuar ose që janë shëruar nga COVID-19.