Bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë. Duke kontribuuar me 18-20% të GDB dhe angazhon 35% të fuqisë punëtore. Sipas statistikave zyrtare prodhimet bujqësore janë rritur me mbi 20%, ndërsa eksportet janë rritur me 145%. Sot produktet shqiptare shkojnë në 75 vende të botës. Këto rritje erdhën edhe si rezultat i investimeve të qeverisë në bujqësi. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi publikoi historinë e një prej fermerëve që bashkë edhe me 15 punëtorët e tjerë, ai ja ka dal të mbjellë dhe të garantojë tregun për prodhimet e veta.
Ekonomi tha se Xhuliani po ashtu është bërë pjesë e skemës së mbështetjes me naftë. “Xhuliani punon prej vitesh në sektorin e bujqësisë dhe është nga ato rastet kuptimplotë të dedikimit ndaj punës dhe tokës që administron. Bashkë edhe me 15 punëtorët e tjerë, ai ja ka dal të mbjellë dhe të garantojë tregun për prodhimet e veta. Së fundmi, ka marrë edhe një ndihmë nga skema e mbështetjes me naftë”, tha ministrja.
Vet Xhuliani tregon se e kishte nisur punën shumë i vogël në bujqësi, përkrah babait të tij.
Falë punës, shprehet ai, kemi rritur investimet dhe modernizuar shërbimin. Sepse, vijon Xhuliani, bujqësia kërkon kushte bashkëkohore.
“Duke krijuar marrëdhënie të reja me tregtarë eksporti kemi arritur të konsolidohemi si fermerë me kontrata të rregullta. Sot eksportojmë domate të thatë në Itali dhe spec djegës. Po punojmë shumë mirë“, shprehet Xhuliano.
Më tej, ai tregon se është edhe pjesë e skemës së mbështetjes me naftë.
“Unë bëra aplikimin në e-Albania. Nxora nga njësia administrative numrat kadastral të tokave, sepse vetëm ajo na u kërkua. Kjo ishte një lehtësi shumë e madhe, sepse nëse do të ishte si më parë dhe nuk do të ishte ndërhyrë për të lehtësuar skemën do të ishte e vështirë të merrnim këtë naftë. Në skemën e mëparshme duhet të dorëzoje edhe kontratën noteriale për qiranë e tokës dhe kjo ishte e vështirë, pasi një pjesë e madhe e njerëzve jetojnë jashtë“, tha ai.
Xhuliano tregon se ka instaluar teknologji italiane për mënyrën e mbjelljes, largësinë e rreshtave dhe çdo punë bëhet me mekanikë bujqësore. “Kam 28 lloje agregatësh bujqësorë dhe 3 mjete bujqësore dhe 3 traktorë”, u shpreh ai.