Nga Altin Ketro/
Pavarësisht humbjes së dytë radhazi në zgjedhjet parlamentare, Lulzim Basha vendosi të garojë sërish për të qenë kryetar i PD-së. Statuti i partisë nuk ia pamundëson një gjë të tillë, kështu që ai nga pikëpamja e bazës ligjore ka gjithë të drejtën të jetë pjesë e garës, ndonëse moralisht duhet të largohej e t’i hapte rrugë të tjerëve për ta udhëhequr PD-në.
Vendimi i Lulzim Bashës për të mos u larguar, u shoqërua menjëherë me zëra kritikë të cilët nuk kanë më besim se ai do e çojë PD-në drejt pushtetit. Kundërshtarët që dikur kanë pasur edhe detyrat të larta shtetërore, u bënë pjesë e një grupimi brenda PD-së, të cilën e quajtën: “Për PD-në”.
Së fundmi ky grupim ka publikuar emrin e kandidates Edith Harxhi. Kandidat tjetër është edhe Ibsen Elezi. Më herët kandidaturën e ka vetëshpallur Fatbardh Kadilli. Lista mund të shtohet me të tjerë, të cilët do të rivalizojnë Lulzim Bashën në garën për kryetar.
Me gjithë respektin për kandidaturat rivale të Lulzim Bashës, ata duhet të kuptojnë se po garojnë për të qenë lider i opozitës dhe jo drejtues të ndonjë departamenti nga ato që shpik Basha sa herë do që t’i gjejë punë atyre që nuk i përfshin në listat për deputet. Të jesh lider i opozitës, shkon përtej të qenin thjesht kryetar i PD-së.
Çfarë kuptimi ka që këta personazhe do luftojnë njëkohësisht kundër njëri tjetrit dhe paralelisht edhe kundër Lulzim Bashës për kryetar të PD-së?! Deri tani ata janë shfaqur si kundërshtarë të Bashës dhe beteja me të nuk bëhet duke rivalizuar edhe njëri tjetrin.
Ky copëzim i votave që ata bëjnë, automatikisht i jep avantazh të padiskutueshëm Lulzim Bashës që të dalë fitues ndaj tyre. Lulzim Basha ka edhe të tjera avantazhe ndaj secilit prej tyre.
-Ka 8 vite që drejton Partinë Demokratike.
-Ka marrë pjesë në dy fushata parlamentare dhe një fushatë vendore. Pra, e ka shëtitur pëllëmbë për pëllëmbë të gjithë Shqipërinë duke pasur më shumë kontakt me bazën e partisë.
-Ka akses më të madh në studiot televizive. Po në këtë aspekt, ka mbrapa edhe analistë të njohur të cilat i japin mbështetje nga studiot e debateve.
-Është zgjedhur deputet dhe ka në krah shumicën dërrmuese të grupit të deputetëve të zgjedhur më 25 prill.
-Ka njohje me faktorin ndërkombëtar dhe kontakte me ta, brenda e jashtë Shqipërisë.
-Humbjen e tij më 25 prill po përpiqet ta justifikojë me të ashtuquajturën “masakër elektorale”, duke e vënë anëtarësinë demokrate përpara zgjedhjes nëse është Pro apo Kundër këtij termi i cili praktikisht përkthehet: Jeni pro Bashës e kundër Ramës, apo anasjelltas?
Sfidantët, Kadilli, Harxhi dhe Elezi, kanë disavantazhin që nuk janë deputetë. Mosprania e asnjërit prej tyre në Kuvend, avantazhon Bashës, sepse do të jetë ky i fundit që do përballet atje me kryeministrin Rama dhe mazhorancën qeverisëse.
Me aq sa e kemi ndjekur aktivitetin e tyre publik, sfidantët aktualë mund të kenë ndikim në bazë qarku të caktuar, por assesi në rang kombëtar. Që të jenë sfidantë potencial, ata duhet të kenë ndikim edhe tek grupi i ri parlamentar, gjë që dyshoj se e kanë kandidaturat aktuale.
Prania e tyre gjithë këto vite nëpër studiot televizive për të lënë ndonjë gjurmë mbresëlënëse tek baza e partisë është deri diku e varfër, për të mos thënë inekzistente. Daljet e muajit të fundit, nuk kanë asnjë lloj ndikimi.
Afati kohor që u është lënë për të bërë fushatë në bazën e partisë është i pamjaftueshëm. Nuk do kenë kohë fizike të shkojnë as në 12 qarqe, e jo më në 61 bashkitë që i përbëjnë.
Në rast se grupimi që kundërshton Lulzim Bashën do që ta rivalizojë seriozisht atë, qoftë edhe në kushte të pabarabarta, i duhet fillimisht që të shmangë “inflacionin” e kandidaturave dhe të unifikohen në vetëm një kandidat.
Në fakt, kandidati rival i Bashës duhet të ishte pjesë e parlamentit të ardhshëm, gjë që do t’i jepte më shumë autoritet figurës së tij në sytë e anëtarësisë që do e votojë.
Figura rivale e Bashës, edhe nëse nuk është pjesë e legjislaturës së re, duhet të jetë një personalitet i spikatur shoqëror e politik, me ndikim jo vetëm tek anëtarësia, por edhe tek elektorati që voton përtej partive politike. Figura e tij nuk duhet të jetë thjesht rajonale, por kombëtare.
Me çfarë shihet deri tani, ashtu siç e kanë nisur këtë “betejë” me Lulzim Bashën, nuk kanë asnjë perspektivë se do t’ia dalin. Veç e veç jo e jo. Po edhe po u bashkuan në vetëm një emër prej tyre, misioni duket i pamundur.
Së fundmi, e vetmja mundësi e sfidantëve për të ndikuar me personalitetin e tyre jo vetëm tek anëtarësia po edhe më gjerë, është që të bëjnë një debat televiziv të drejtpërdrejtë me Lulzim Bashën për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe vizionin që ata kanë. Aty të shfaqin të gjithë potencialin e tyre për të treguar se janë të denjë për të qenë lider i opozitës.