Deputeti nga radhët e LDK-së Armend Zemaj, ka kërkuar nga Qeveria që ta marr situatën në dorë pas tollovisë që është krijuar në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Në një konferencë për media, Zemaj është shprehur se nga papërgjegjësia totale e sotme Qeveria ka treguar se nuk e kanë prioritet shëndetin.
“Në vend se të drejtohen drejt vaksinimit dhe sigurimit të jetesës, sot nga papërgjegjësia totale dhe neglizhenca e paparashikueshme Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti dhe nga sot kanë rrezikuar qytetarët e Republikës së Kosovës, duke u bërë bartës së infeksionit, por edhe duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre. Kjo tregon se këta njerëz nuk e kanë prioritet shëndetin, akoma menaxhojnë në stilin populist dhe asnjëherë me situata konkrete, por mbi të gjitha të përdorin pjesën ekzekutive në menaxhimin e jetës publike dhe shoqërore në Kosovë”, ka thënë Zemaj.
Ish-ministri i Shëndetësisë ka theksuar se qeveria “Kurti” vetëm ka mashtruar qytetarët për ndryshim, pasi sipas tij kur kishte rritje të numrit të rasteve, merreshin me situata politike në shtetet fqinje e sot po merren me gjendjen në Lindjen e Mesme.
“Shumicën e kohës, ju e dini në kohën më të keqe, kur kishim numër enorm të rasteve të vdekjeve, por edhe të infeksionit, këta merreshin me situata politike në shtetet fqinje, sot deputetët e tyre merren me gjendjen në Lindjen e Mesme dhe kjo tregon se këta i kanë mashtruar qytetarët për ndryshim, kjo tregon që këta janë të interesuar dhe po tregojnë vetëm degradim. Asnjë e mirë në procesin e vaksinimit nuk ka ndodhur deri tani. Fatkeqësisht me transparencë zero, asnjë kontratë e nënshkruar, kur pasqyruam që janë të gatshme për nënshkrim, për një luftë politike ekstreme për të mbyllur zërin e qytetarëve dhe të mediave, sot e kemi parë edhe përmes mekanizmit të Policisë, kur nuk është lejuar që të merren pamje dhe e vërteta të dalë në shesh në sallën ‘1 Tetori’”, ka thënë Zemaj.
Gjatë kësaj konference Zemaj ka thënë se nuk mund të fshihet e vërteta skandaloze që ka ndodhur sot.
“Lusim sot, bëjmë thirrje që Qeveria urgjentisht ta marrë situatën në dorë”, është shprehur Zemaj.