Regjistrues absolut i asisteve, vendimtar në fitoren prestigjioze kundër Interit. Juan Cuadrado ishte njeriu shtesë i Juventusit, duke shkëlqyer sidomos në fund të sezonit, prandaj klubi bardhezi po përgatitet t’ia rinovojë kontratën.
Pavarësisht se ajo skadon më 2022, kur kolumbiani do të ketë mbushur 34 vjeç, “Zonja e Vjetër” ia vletëson kontributin, duke e zgjatur marrëveshjen edhe për një sezon shtesë. Nga ana tjetër, Cuadrado është një nga pikat e fiksuara në të ardhmen e afërt, kur shumë gjëra mund të ndryshojnë si në stol, ashtu edhe në fushë.
Xhol i dobishëm, i aftë për të luajtur si një mbrojtës i plotë, ose si një mesfushor-sulmues anësor, kolumbiani në të kaluarën e afërt është përdorur gjithashtu si mesfushor. Në të gjitha këto role pothuajse gjithmonë ka ofruar një rendiment shumë të lartë.
Këtë vit, amerikano-jugori ishte thjesht shkatërrues, duke u bërë burimi kryesor i lojës bardhezi dhe shpesh i vetmi në gjendje të hapte mbrojtjen e kundërshtarit me goditje, driblime dehëse dhe përshpejtime të papritura. Me pak fjalë, Juve dëshiron ta mbajë të “prangosur”.