Andrea Pirlo nuk mund të gabojë më. Për të disatën herë thirret të ndryshojë kursin e Juventusit. Një fjalim, ky, i mbajtur një mijë herë të tjera deri tani, por ende i rëndësishëm, sepse për momentin ndryshimi i dëshiruar i ingranazhit, kthesa shumë e pritur nuk është parë ende. Juve, në fakt, nuk ka shkuar kurrë kaq keq për dhjetë vite. Ne duhet “ta rikthejmë kasetën” në sezonin 2010-2011 për të gjetur një performancë më të keqe pikësh, pas 33 javësh kampionat.
Atëherë kishte 52 pikë përkundrej 66 sot. Ishte Juve e Delnerit, që e mbylli në vendin e dytë. Një ekip i një kalibri aspak i krahasueshëm me aktualin. Dhe për këtë arsye gabimet e sotme janë edhe më të dukshme. Juve i Pirlos udhëton mesatarisht me 2 pikë për ndeshje, trendi më i keq në dhjetë vite. Asnjëherë, që nga sezoni 2010-2011, bardhezinjtë nuk kishin qenë -13 pikë larg kreut në këtë moment të Serie A.
Në të vërtetë, aata kanë qenë gjithmonë në krye të renditjes, gati për të hequr shampanjën. Për të mos përmendur krahasimin me dy sezonet e fundit: Pirlo ka 11 pikë më pak se Sarri dhe madje 21 pikë më pak se Allegri. Tani nevojitet kthesa, ose kurrë. Meqenëse kampionati po mbaron, kanë mbetur vetëm pesë ndeshje deri në fund, qëllimi për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve mbetet në rrezik. Me koston e shtimit të një tjetër dështimi sportiv, që do të kishte pasoja shpërthyese ekonomike për klubin. Dhe pastaj është “Coppa Italia”, finalja me Atalantën.
Me pak fjalë duhet një shkundje, madje shpërthim. Pirlo luan gjithçka midis finishit të kampionatit dhe finales së Kupës Italiane. Shkundja duhet të vijë së pari nga ai, duke provuar se e ka ekipin në dorë. Si mund ta rindezë Juven? Faktori i parë për rilindjen është gjetja e Ronaldos. Asnjëherë si në këtë periudhë fenomeni nuk është shfaqur i paqartë, nervoz, i shkëputur nga konteksti. Cristiano nuk ka shënuar në 347 minuta. Goli i fundit daton në ndeshjen kundër Napolit, pastaj ka “agjëruar” me Genoa, Parma dhe Fiorentina, duke mos luajtur kundër Atalantës. Ai nuk është në gjendje të përsosur, por tani Pirlo mund të mbështetet vetëm tek ai dhe golat e tij për të gjetur rrugën e duhur.
Është logjike që ambiciet e Juventusit kryesisht kalojnë nga portugezi, në ato që mund të jenë 6 ndeshjet e fundit bardh e zi. Por, do të ketë kohë për të përvijuar të ardhmen; sepse vlen vetëm e tashmja. Si për Ronaldon, edhe për Dybala. “La Joya” është asi tjetër në mëngën e Pirlos. Ai ka qenë praktikisht gjithmonë jashtë veprimi këtë sezon për shkak të shumë dëmtimeve (vetëm 21 paraqitje dhe 4 gola), por tani dëshiron të pushtojë skenën. Goli ndaj Napolit ishte fillimi, tani duhet konfirmimi, vazhdimësia. Në funksion të sfidës në Udine, Paulo është duke rivalizuar me Morata për të mbështetur Ronaldon. Alvaro, vendimtar me perlën e barazimit në Firence, po përpiqet t’i japë kuptim finales së sezonit, për t’u konfirmuar te “Zonja e Vjetër”.
Në çdo rast, ka një lajm të mirë për “Maestro”: Chiesa do të jetë përsëri në dispozicion nesër, pasi e ka kapërcyer problemin muskulor të pësuar në Bergamo. Para se të ndalej, Federico kishte qenë njeriu shtesë i Juves; tani është koha për konfirmim. Dhe pastaj janë senatorët. Bonucci, Chiellini, Buffon kanë një detyrë të mëtejshme; të tërheqin para me lidershipin e tyre një grup që është provuar i brishtë disa herë. Giorgio dhe Gigi mund të jenë në perndëim të karrierës bardhezi, por me siguri nuk kanë ndërmend ta përfundojnë me shifra të këqija. Tani ose kurrë, në fakt!