Në raportin e fundit të tremujorit për vendet kandidate dhe ato potenciale, Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria është vendi i dytë në rajon që e kaloi më lehtë krizën pandemike.
Masat e bllokimit e ndërprenë rëndë aktivitetin ekonomik dhe ndikimin më të fortë e patën në tremujorin e dytë. Ekonomitë treguan shenja përmirësimi në gjysmën e dytë të vitit kur kufizimet u lehtësuan dhe aktiviteti ekonomik u rrit veçanërisht në sektorin e prodhimit të orientuar drejt eksportit, vlerëson KE.
Vendi që e ka kaluar më lehtë krizën në rajon është Serbia me një rënie prej vetëm 1%, si rrjedhojë e strukturës ekonomike të qëndrueshme dhe stimulit të konsiderueshëm fiskal.
Ajo ndiqet nga Shqipëria me një tkurrje prej 3.3%, e ndihmuar nga përmirësimi i ekonomisë në tremujorin e fundit të vitit.
Pas katër tremujorëve rresht të rënies në Shqipëri, rritja ekonomike nga viti në vit u kthye pozitive në tremujorin e katërt të vitit 2020, mbështetur nga efektet bazë, rimëkëmbja e konsumit privat, rritja më e fortë e investimeve dhe rritja e konsumit publik.
Rënia e eksporteve mbeti e theksuar kryesisht për shkak të kufizimeve të vazhdueshme të udhëtimit. PBB-ja reale ra me 3.3% në vitin 2020.
Sipas raportit, në shumicën e vendeve, rënia në vitin 2020 u nxit nga një tkurrje e madhe e konsumit privat dhe investimeve, ndërsa eksportet neto kishin një efekt të ndryshëm në rritje.
Tkurrjen më të fortë ekonomike e ka regjistruar Mali i Zi ku PBB reale ra me 15.2%.
Në Kosovë, zgjerimi i konsumit qeveritar dhe rënia e importeve të mallrave dhe shërbimeve zbutën rënien e prodhimit vjetor ekonomik në një vlerësim prej 3.9%.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Maqedoninë e Veriut, PBB-ja u tkurr me 4.5% në vitin 2020, kryesisht si rrjedhojë e rënies së ndjeshme të konsumit të familjes dhe investimeve.
Në përgjithësi, PBB-ja e rajonit të Ballkanit Perëndimor u tkurr me 3.3% në vitin 2020, nga një normë mesatare e rritjes prej 3.6% në vitin 2019. Kjo është rënia e parë në prodhimin vjetor të rajonit pas një zgjerimi 10-vjeçar.