Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero konfirmoi edhe një herë se Bashkimi Evropian mund t’i fillojë negociatat vetëm me Shqipërinë, nëse Maqedonia e Veriut nuk e zgjidh çështjen me Bullgarinë.
Një skenar të tillë e paralajmëroi edhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi gjatë qëndrimit të tij në Shkup dhe Tiranë, disa ditë më parë.
“Pozicioni i Komisionit Evropian është shumë i qartë. Duam të shohim konferencë ndërqeveritare me të dy vendet. Të dyja i plotësojnë kushtet që kjo të ndodhë, por Këshilli duhet të jep miratimin për kornizat negociuese, këtu ku jemi.
Nëse nuk ka marrëveshje për Maqedoninë e Veriut, atëherë ky opsion do të mund të shqyrtohet”, tha Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Evropian, shkruan Alsat.