Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar pas krijimit të tollovive në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, për shkak se qeveria nuk ka ditur të organizojë një proces të thjeshtë vaksinimi, qytetarët mund të infektohen me Covid-19.

Hoxhaj ka shkruar në Facebook se është për keqardhje të shohësh prindërit e gjyshërit tanë në këtë gjendje.

“Të dëshpëruar për një vaksinë e cila nuk u erdhi për një kohë të gjatë, tani të shtyhen me njëri-tjetrin sepse Qeveria nuk ka ditur të organizoj një proces të thejshtë vaksinimi. Kështu, më shumë ekziston rreziku që ata të infektohen me Covid, sesa mundësia që të vaksinohen. Kjo është pasqyra e një qeverisje pa plan e program. Pa dije e përvojë për të ndihmuar qytetarët e saj. E dhimbshme. Shumë e dhimbshme”, ka shkruar ai në Facebook.