Kroacia ka ndihmuar Kosovën me 10 mijë doza të vaksinës kundër Covid-19.

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia ka zhvilluar ditën e sotme takim me Ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiç. Fokusi i këtij takimi ishte njohja e ambasadores Barishiç me situatën epidemiologjike në Kosovë.

Ndërkohë në këtë takim është nënshkruar edhe marrëveshja për 10 mijë doza të vaksinës kundër Covid-19, vaksina të cilat Kroacia ia dërgon Kosovës, në mbështetje të luftës së pandemisë.

Vitia ka shprehur mirënjohjen në emër të qeverisë së Kosovës, duke e falënderuar ambasadoren Barishiç për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë ndaj Kosovës.

Po ashtu ambasadorja Barishiç, theksoi se zbatimi i masave dhe rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, janë të domosdoshme për ruajtjen e shëndetit.

Njoftimi i plotë:

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm z. Naim Bardiçi, kanë takuar sot Ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiç.

Në takim, Ministri Vita ka njoftuar Ambasadoren Barishiç me ecurinë e vaksinimit të grupeve prioritare sipas Planit shtetëror të Vaksinimit, mënyrën se si institucionet e Kosovës po ballafaqohen me pandeminë Covid-19 dhe sfidat në sistemin shëndetësor gjatë kësaj kohe.

Gjatë këtij takimi, është nënshkruar marrëveshja për 10 mijë doza të Vaksinës kundër Covid-19, në përkrahje të Republikës së Kosovës.

Në këtë drejtim, Ministri Vitia i ka shprehur mirënjohjen në emër të Qeverisë së Kosovës për bashkëpunimin e qëndrueshëm dhe mbështetjen konkrete në përballjen me Covid-19.

Ambasadorja Barishiç theksoi rëndësinë e zbatimit të masave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik.