Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja kanë inspektuar punimet për rindërtimin e Spitalit të ri Pediatrik të Elbasanit, punimet e të cilit pritet të përfundojnë brenda vitit. Ministrja Manastiliu u shpreh se modele të tilla të zhvillohen kudo në Shqipëri.

“Punimet për ndërtimin e këtij spitali të ri do të përfundojnë brenda vitit. E meritojnë fëmijët, e meritojnë mjekët, e meritojnë qytetarët e Elbasanit, por ne jemi të fokusuar në zhvillimin e të tilla modeleve kudo në Shqipëri. Sepse të gjithë qytetarët shqiptarë meritojnë që të kenë shërbime shëndetësore dinjitoze, kudo ku ata jetojnë”, tha Manastirliu.

Duke përmendur investimet që po kryhen në të gjithë vendin, Manastirliu tha fokusi do të jetë shtrirja e modelit të autonomisë spitalore në gjithë vendin dhe rritja e pagave për personelin mjekësor.

“Do të fillojë puna për të ngritur në një nivel më të lartë sistemin publik shëndetësor. Do të vijojmë mbështetjen për mjekët dhe infermierët, ashtu sikurse e kemi thënë, jo vetëm rritja e pagave e këtij viti, por edhe përgjatë mandatit të ri do të jetë 40% për mjekët dhe infermierët, në të gjithë sistemin shëndetësor publik. Por ajo çfarë është më e rëndësishme është futja në një fokus të ri të sistemit spitalor, nëpërmjet modelit të autonomisë spitalore. Një model i cili do të aplikohet në spitalin memorial në Fier për t’u shtrirë më pas në të gjithë spitalet e vendit”, u shpreh Manastirliu.