Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Ligjeve tha për Euronews Albania se ngritja e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit si kërkesë e 49 deputetëve do t’i kalojë Kuvendit më datë 7 maj, datë që siç tha ai nëse merr miratim, është brenda afatit kushtetues për ngritjen e një komisioni hetimor, 4 muaj para përfundimit të legjislaturës.
Manja tha se nesër kërkesa e 49 deputetëve është duke u shqyrtuar dhe se do të jetë Komisioni i Ligjeve ai që do të prodhojë një raport dhe do ti sugjerojë Kuvendit ngritjen ose jo të komisionit hetimor për fillimin e procedurës për shkarkimin e Presidentit.
“Nëse Parlamenti do të miratojë ngritjen e komisionit, do të jetë ky komision hetimor që do të analizojë pretendimet e ngritura nga grupi nismëtar lidhur me shkeljen e Kushtetutës nga Presidenti i Republikës. Nismëtarët i kanë listuar në kërkesën e depozituar në Kuvend arsyet se pse e kërkojnë shkarkimin e Presidentit”, tha Manja.
Manja tha se mazhoranca e kishte bërë të qartë edhe gjatë fushatës zgjedhore nëpërmjet kreut të grupit parlamentar Taulant Balla, se me shkeljet e Kushtetutës nga Presidenti kjo mazhorancë do të merret menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Sipas tij, ky Kuvend është funksional deri më 9 shtator, ditë kur u mbajt edhe seanca e parë e legjislaturës aktuale, ndaj e ka fuqinë për të vendosur lidhur me shkarkimin e Kreut të Shtetit.
“Në fakt ky parlament, i kësaj legjislature, është në detyrë deri më 9 shtator, sepse sipas Kushtetutës i mbaron mandati në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë kur është mbledhur parlamenti i para 4 viteve, pra është në detyrë. Pretendimet lidhur me këtë komision, se nuk mund të ngrihen komisione hetimore 4 muaj para legjislaturës nuk qëndrojnë pasi deri të premten më 7 maj është brenda afatit. Nëse Parlamenti nuk shprehet deri të premten, del jashtë afatit”, u shpreh Manja.
Manja tha se ky është komisioni i dytë hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës që ngrihet në harkun kohor të 2 viteve.
Manja shpjegoi se në bazë të Kushtetues shkarkimi i Kreut të Shtetit është e ndërvarur mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, por vuri në dukje ai, është kjo e fundit që e thotë fjalën e fundit.
Shkarkimi në Kuvend, theksoi ai, është shprehja e një vullneti politik të caktuar.
Sipas Manjës, Presidenti me qëndrimin politik që mbajti gjatë fushatës dhe konflikti që hapi me partnerët strategjikë ka cenuar imazhin e Shqipërisë në marrëdhëniet e jashtme.
“Nismëtarët mendojnë se veprimtaria e Presidentit të Republikës përgjatë gjithë procesit zgjedhor cenon parimet e rëndësishme të Kushtetutës që lidhet me parimet e shtetit të së drejtës, ndarjes e balancimin e pushteteve, Presidenti në konfliktin që hapi me partnerët tanë strategjikë ka cenuar rëndë imazhin e Shqipërisë në marrëdhëniet e jashtme”, tha ai.
Sipas tij, fakti që vetë Kreu i Shtetit gjatë fushatës u shpreh se nëse mazhoranca merrte 71 mandate ai do të jepte dorëheqjen dhe do të kalonte në opozitë, tregon qartë se ai e ka braktisur misionin e vet kushtetues si kryetar i shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit.
“Qartazi Presidenti e ka braktisur misionin e vet kushtetues si kryetari i shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit. Ky përcaktim i Kushtetutës e nxjerr Presidentin mbi palët dhe nuk e lejon të ketë orientim politik në veprimtarinë e tij, por Presidenti zgjodhi rrugën të jetë përfaqësuesi tipik i opozitës”, tha Manja.